Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ishte sot në Gjirokastër për të mbledhur firmat e peticionit, me anë të të cilit kërkon të imponohet për rindërtimin e teatrit që u shemb. Disa momente duhen veçuar në këtë le ta quajmë tubim apo nismë. E para që aktorët e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër nuk firmosën peticionin. Mbase kanë dashur ta firmosin dhe ishin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, por duke qenë se paguhen nga Bashkia Gjirokastër, e ndiejnë presionin dhe s’janë përzier në këtë histori. Natyrisht që ky nuk është një lajm i mirë nëse nën presion indirekt aktorët s’kanë shkuar të firmosin edhe pse mund të kenë dashur. Ama ky lajm i keq ‘kompensohet’ deri diku me faktin që kushërira e ministres së Kulturës, firmos peticionin. Dëshmi e emancipimit dhe progresit tonë demokratik. Sinqerisht!
Momenti i dytë i rëndësishëm që pamë sot, ishte rikthimi në skenë i kryebashkiakes Zamira Rami, bashkë me njerëzit e saj të ngushtë me të cilët drejtoi Bashkinë Gjirokastër, duke përfshirë që nga shefja e kabinetit, shefja e personelit e deri tek drejtorët e ish-këshilltarët e LSI-së. Si për të treguar që veç Aleancës për Mbrotjen e Teatrit, më solide se kurrë është edhe aleanca opozitare, në shesh ishin edhe njerëzit e PD-së, me kryetarin Dasho Aliko dhe ish-drejtorët ndër vite. Të gjithë firmosën peticionin për rindërtimin e Teatrit Kombëtar siç ishte para shembjes. S’ka asgjë të keqe që dolën dhe firmosën, ndonëse shumica prej tyre s’kanë shkuar ndonjëherë në teatër e s’kanë ndonjë sensibilitet për Teatrin Kombëtar, mjafton që kjo tashmë është një çështje politike kundër Ramës dhe kaq.
Ra ky Teatër dhe u pamë…. Është fiks për Zamira Ramin, kryebashkiaken që ka gati një vit që hesht. Prej kur u largua nga zyra e kryetares ajo heshti për gjithçka. Nuk bëri as dy radhë në Facebook për zgjedhjet e 30 qershorit, as dy radhë falenderimi për qytetarët që e besuan në drejtimin e Gjirokastrës për 4 vite me radhë. Nuk reagoi kurrë as për akuzat penale të cilat janë raportuar në media e sot janë në SPAK. Dorëzoi Bashkinë Gjirokastër në një heshtje të pashpjegueshme. Jo të reagonte për ne, për lajm për portalet, por si një detyrim ndaj atyre që i përfaqësoi për 4 vite në krye të Bashkisë Gjirokastër.
Një standard ky që është vendosur edhe në vitet më të errëta në Shqipëri. Ndërkohë Zamira Rami iku ‘kacakshe’, pa thënë një “Faleminderit Gjirokastra”. Ajo heshti gjithashtu edhe në kulmin e aksionit opozitar që nisi pas djegies së mandateve. Sot shfaqet papritur në publik mes militantëve të LSI-së e PD-së për të nënshkruar një peticion që nuk i hyn në punë askujt. Ra ky Teatër dhe u pamë pas kaq shumë kohësh me Zamira Ramin… Fiks tani në aromë fushate si për të treguar edhe njëherë se kur afron pushteti, sic shpreson opozita, duhet të jemi në skenë të na shohin e t’i shohim.
©argjiroja.net