Kur Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, për minuta me radhë ai foli edhe për një reformë të thellë në administratën publike. Kryeministri hodhi akuza për drejtues të të gjitha niveleve, që sipas tij ia “nxijnë faqen” Partisë Socialiste me keqpërdorimin e pushtetit dhe parave publike. Dhe në fakt kështu është, por ajo që nuk ka asnjë garanci në këtë mandat të tretë, është se si do të veprohet me këta drejtues.
Më së paku a do të ketë largim të tyre apo do të jenë po aty për të administruar pushtet dhe fondet publike? Ka njerëz që sot drejtojnë institucionet prej 8 vitesh, por edhe kur janë ndërruar, thjesht kanë shëtitur nga njëri institucion tek tjetri. Është krijuar pothuajse e njëjta kastë si në arsimin e lartë, me rektorë e dekanë që ndërrojnë vendet me njëri-tjetrin sa herë ka zgjedhje. Ndërkohë që Shqipëria nga ana tjetër po zbrazet, me të rinj e të reja që duan të ikin nga sytë këmbët. Të rinj e të reja që nuk iu jepet një shans për t’u promovuar apo për të dhënë kontribut në administratë.
Nuk është fjala për të bërë spastrim, linçim apo lëvizje sa për të hequr disa njerëz e për të vendosur ca të tjerë. Por nuk është as ndonjë krim apo mëkat i madh, që një drejtor, të punojë më pas edhe shef sektori, pa qenë nevoja të shkojë në një drejtori tjetër, a thua se këta janë të vetmit njerëz që bëjnë për drejtues. Kur dihet fare mirë që në shumicën e rasteve janë thjesht ca personazhe me shumë pak talent e që nuk kanë spikatur profesionalisht. Mbetet për t’u parë se si do të sillet PS në këtë mandat të tretë, por skepticizmi është i madh dhe do të mbetet për aq kohë sa zotimi për ndryshim do të mbetet thjesht në letër. ©argjiroja.net