Vangjel Tavo bëri sot daljen e radhës televizive në Vizion Plus. Nuk tha asgjë të re nga ato që artikulon vazhdimisht prej kohës kur LSI doli në opozitë. I kërkoi qeverisë të japë llogari për 8 vjet, kur ndërkohë katër vitet e para (2013-2017) ishte vetë pjesë e mazhorancës. Sillet si i ‘virgjër’ politikisht, sikur doli tani në skenë dhe befas gjeti një Shqipëri të nënshtruar nga problemet. Ndërkohë pranon vetë se këtë e ka fushatën e tetë elektorale pasi është deputet prej 20 vitesh. Vangjel Tavo flet për rrënimin e spitalit të Gjirokastrës, kur e di kushdo në Gjirokastër se ai institucion ka qenë në shumicën e viteve në drejtimin e njerëzve të tij së paku prej vitit 2010 e këtej.Vangjel Tavo ka bërë ç’ka dashur me spitalin e Gjirokastrës, e ka zhvatur në të gjitha mënyrat e mundshme dhe e ka keqpërdorur deri në atë pikë sa hidhnin letër me vrimë për të larguar punonjësit nga puna.
Në shumë raste të tjera një vend pune e ndante për dy apo më shumë veta thjesht në këmbim të votave. Vangjel Tavo flet për institucione të larguara apo ristrukturuara në kuadër të një procesi normal që kryhet kur ndodhin ndryshime demografike, por hallin e ka gjetkë. Ato institucione i shihte si plaçkë që i ndante për militantët dhe sejmenët e tij. Nga ana tjetër nuk zë në gojë fjala vjen institucione të tjera të krijuara gjatë këtyre viteve siç është ADISA, një qendër e integruar për ofrimin e shumë shërbimeve qeveritare, ku natyrisht ka një staf të gjerë. Vangjel Tavo vuri kujën edhe në vitin 2017 për ndërhyrje të policisë sipas tij në zgjedhje.
Tha se do të shkonte t’i denonconte në Prokurori. Nuk e bëri këtë gjë. Edhe sot flet po për ndërhyrje të tilla, por s’ka guxim të shkojë në Prokurori. Thjesht ai po përgatit alibinë për humbjen e zgjedhjeve. Foli në “Zonë e Lirë” për shifra, numra, skema, skenarë, intriga e insinuata… pa thënë qoftë dhe një ide apo politikë konkrete se çfarë do të bëjë ai ndryshe nga këto 20 vite që ka qenë në Kuvend. Vangjel Tavo nuk ka dhe nuk mundet të ofrojë asgjë ndryshe. Është tejet i vjetëruar politikisht sa asgjë s’ë arnon dot figurën e tij të dalë boje nga premtimet boshe zgjedhje pas zgjedhjesh. Vangjel Tavo e ka mbyllur ciklin e vet politik dhe nuk mund të përfaqësojë më asgjë të re. Është si një film i parë që nuk duhet t’i riktheheni sërish. Prandaj kushdo që i shkon pas së pari fyen inteligjencën e vet dhe së dyti shpërdoron votën, një mundësi që të vjen një herë në 4 vite.
©argjiroja.net