Në 15 janar të këtij viti Ardian Kola u rizgjodh në krye të Partisë Socialistë në Sarandë për një mandat të dytë teksa vijonte të ishte në krye të Kadastrës së këtij qyteti që prej majit 2019. Në korrik 2020 Kola u largua nga drejtimi i Kadastrës në mënyrë enigmatike.
Ajo që u tentua të “paketohej” publikisht si një dorëheqje për shkak të angazhimit në zgjedhjet e vitit 2021, ishte më shumë një shkarkim i mistershëm që lidhej me tjetërsimin e disa parcelave në zonën bregdetare nga ish-turizmi deri tek kanali i Çukës. Ndërkohë sot po në mënyrë të mistershme dhe pa asnjë shpjegim publik, mësohet se Kola nuk do të jetë më drejtuesi i socialistëve në Sarandë. Pra, u zgjodh kryetar partie për disa muaj dhe zëvendësohet nga një grua, Lindita Kondi.
Lajmin e bën të ditur deputeti Alket Hyseni, i cili shprehet se socialistët do të trokasin në çdo derë sarandioti për mandatin e tretë të Edi Ramës.
“Asambleja e PS Sarandë, nën drejtimin e Kryetares së re, Lindita Kondi, fillon punën organizative të gjithë trupës socialiste, në aleancë me njerëzit e zakonshëm, për mandatin e tretë të Edi Rama dhe PS. Trokasim në çdo lagje, në çdo derë, në çdo zemër sarandioti dhe ecim së bashku 2021-2025”, shkruan Hyseni.
PS Sarandë ka nxituar të shkojë nesër në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me një drejtues të ri. Nuk ka asnjë problem, por së paku duhet të ketë një shpjegim publik se si bëhen këto lëvizje, pse ikën e vjen një kryetar cdo gjashtë muaj. As nga vetë Kola, i zoti i punës, nuk ka një shpjegim përse nuk është më në krye të PS-së. Ai është mjaftuar thjesht me shpërndarjen në faqen e tij në Facebook të njoftimit të Alket Hysenit për kryetaren e re të Partisë Socialiste.
©argjiroja.net