Drejtuesit demokratë, deputetët dhe anëtarët e kryesisë së re, janë shpërndarë në të gjithë vendin në kuadër të përgatitjeve për protestat masive kundër qeverisë “Rama”. Në funksion të këtyre protestave dhe arritjen e një pjesëmarrje sa më të madhe me 16 shkurt, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka urdhëruar deputetët, kryetarët e degëve dhe të deleguarit, të organizojnë strukturat për protestat.
PD ka nxjerrë një udhëzim, i cili kërkon që mes datave 2 dhe 12 shkurt të organizohen protesta lokale në rrethe, ndërsa kërkon që të shkohet derë më derë të qytetarëve për të siguruar pjesëmarrje masive në protestën e 16 shkurtit.
“Organizimi i punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grupseksioni dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anë-tarëve dhe qytetarëve në protestën e madhe në Tiranë, apo në protestat lokale”, thuhet në udhëzim. Basha kërkon një pjesëmarrje sa më të larte duke treguar edhe rrugët se si mund të sigurohet ajo.
Sa i përket Gjirokastrës, tre njerëzit që do të merren me organizimin e protestës janë deputeti Tritan Shehu, ish-kryetari i PD-së, Roland Bejko dhe i deleguari Tomor Alizoti. Bën përshtypje fakti se përse është ‘përjashtuar’ kryetari i sapozgjedhur, Dasho Aliko. Po këta njerëz do të merren me organizimin edhe në Tepelenë, Përmet, Këlcyrë e Memaliaj.
©argjiroja.net