Së fundmi në rrjetet sociale dhe media ka shpërthyer debati për ndalimin ose jo të filmave shqiptarë të prodhuar në periudhën e komunizmit. Iniciator i kësaj ideje ishte shkrimtari Agron Tufa, kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, pasi sipas tij ishin të dëmshme për shëndetin moral të shoqërisë.
Për këtë temë ka reaguar edhe aktori i njohur Luftar Paja i cili i quan sulmuesit e filmave edhe si rrënues të historisë. Paja i sfidon duke u thënë se nëse prodhojnë filma më të mirë se ata që janë prodhuar, atëherë ai do të bashkohet me ta për ndalimin e filmave.
“Pas vitit 1990 ky sulm ndaj kinematografisë është më i turpshmi që kam parë dhe dëgjuar. Pse e them këtë? Nuk sulmohen vetëm artistët që bënë atë art të madh e të papërsëritshëm, por sulmohen dhe fyhen në mënyrë të paimagjinueshme të gjithë qytetarët e këtij vendi që janë edukuar me ata filma dhe vazhdojnë t’i pëlqejnë ata. Këta që sulmojnë kinematografinë janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia kë etapat e veta që nuk mund të zhbëhen.
Këta thonë të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë e të Dritëro Agollit çfarë do të bëhet? Prite kur të dalin ndonjë ditë këta myteberë që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare.
Më ka pëlqyer qëndrimi i Pëllumb Kullës në lidhje me krijimtarinë e tij të kohës së diktaturës. Nuk u heq asnjë presje atyre që kam krijuar, tha Pëllumbi, pavarësisht se shumica e krijimtarisë së tij është e mbushur me ballistë e komunistë. Po kështu ka deklaruar edhe i madhi Dritëro Agolli kur ishte gjallë dhe nuk i ndryshoi veprat e tij.
Kështu është sjellë me krijimtarinë e tij gjigante Ismail Kadareja e të gjithë autorët seriozë të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Por le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë.
Unë Luftar Paja u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do bashkohem me ju t’i ndalojmë filmat që doni ju”, thotë aktori i njohur për gazetën Dita.