Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në rend të ditës ishte edhe miratimi akteve të vlerësimit profesional të 4 prokurorëve në kuadër të procesit të vettingut. Mes tyre ishte gjithashtu emri i prokurorit të Gjirokastrës, Spartak Çoçoli.
“Propozohen 4 akte të vlerësimit profesional të prokurorëve në kuadër të procesit të vettingut. Është fjala për prokuroren Anisa Qilimi, për prokurorin Ludovik Doda, për prokurorin Spartak Çoçoli dhe prokuroren Natasha Shallapi”, the kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.
Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda, njoftoi se me kërkesë të saj, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda kishte dhënë masë sigurie “detyrim për paraqitje”, ndaj prokurorit Spartak Çoçoli. Prokuroria tha se ai ishte “I dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtareve, prokurorëve dhe funkionarëve të tjerë të drejtësisë””. Ndaj Çoçolit po ashtu është marrë masë për pezullimin e ushtrimit të detyrës.
Çoçoli, kur u mor në pyetje prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, mohoi akuzat duke thënë se ato “ishin të pavërteta”.
Ndërkohë sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë në janar 2019, dy persona të tjerë u arrestuan në lidhje me këtë ngjarje. Sipas prokurorisë ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të korruptojnë prokurorin Çoçoli. Me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kjo dosje i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe pritet të jetë ndër të parat në radhë që do të dërgohet në gjykatë apo do të mbyllet.
©argjiroja.net