Një histori e turpshme dhe zhvatëse po zbulohet me mënyrën se si Bashkia Gjirokastër menaxhon kopshtet shtetërore në qytet. Në fakt ata që kanë fëmijë e dinë më mirë se kushdo tjetër këtë gjë, por ne po sjellim në vëmendje të publikut të gjerë detaje të tjera, duke marrë shkas nga mesazhi i një nëne që ka dy fëmijë në kopësht. Nuk është një histori e trilluar, por për dreq ky vend është i atillë sa njerëzit kanë ende frikë dhe flasin vetëm në kushte anonimati. Ne biseduam me nënën për të mësuar më tepër rreth situatës se si funksionojnë sot kopshtet publike që ofrojnë ushqim. Ka disa absurditete, të cilat po i rendisim. Prindërit kanë paguar 10 mijë lekë të vjetra për lyerjen e kopshtit.
Paguajnë çdo muaj 2 mijë lekë të vjetra për mjete punë që u duhen fëmijëve. Paguajnë çdo muaj 1 mijë lekë të vjetra për ushqimin ditor për fëmijët e kopshtit dhe 600 lekë për fëmijët e çerdhes. Diku në vjeshtë drejtori i Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social, Armand Mamani, i ka mbledhur prindërit në një takim dhe u ka kërkuar një kontribut tjetër prej 10 mije lekësh të vjetra për të blerë tapetin e kopshtit. Sipas nënës me të cilën bisedoi Argjirolajm.net, Mamani u ka thënë se nëse ai bën kërkesë në bashki për këtë blerje, kërkesa do të vonojë dhe rrezikon që fëmijët të kalojnë dimrin pa tapet. Pra, sipas Mamanit kërkesa mund të vonojë a thua se Bashkia Gjirokastër është në Honolulu, a thua se Zamira Rami merret me probleme të ngrohjes globale dhe nuk i bie radha të trajtojë kërkesën për një copë tapet te kopshti.
Pse duhet të lihej blerja e tapetit për dimër dhe nuk u krye në verë, është histori tjetër kjo. Sa ka kushtuar tapeti, kur nga fëmijët janë mbledhur rreth 500-600 mijë lekë të vjetra, edhe kjo është histori tjetër. Mirë kjo, po në një njoftim më pas Bashkia Gjirokastër u ka komunikuar prindërve se do të rritet tarifa e ushqimit ditor që ata paguanin. Aplikimi i tarifës së rrritur në 140 lekë për fëmijët e kopshtit dhe 100 lekë të reja për fëmijët e çerdhes do të bëhej në muajin janar, me argumentin se fëmijët do të ushqeheshin më mirë. Pasi shikon gjithë këto pagesa, pyetja që shtrohet është kjo: Si mund të quhet ende publik një kopësht i tillë?
Prindërit paguajnë pothuajse çdo gjë për fëmijët e tyre, që nga lyerja e mureve, tapeti, mjetet e punës dhe deri tek ushqimi ditor. Vetëm shtetëror s’mund të quhet një kopësht i tillë, vetëm politikë sociale nuk mund të quhet kjo praktikë e ndjekur nga Bashkia Gjirokastër. Kjo është zhvatje haptazi për prindërit, të cilët veç taksave që paguajnë kanë edhe tarifa për çdo gjë tjetër në kopësht. Nuk ka rëndësi nëse kjo praktikë ka ekzistuar edhe më parë në kohën e Flamur Bimes apo është vendosur tani me Zamira Ramin.
Kjo është njësoj e rëndë në të dyja rastet. Prindërit paguajnë taksa, bashkia i zhvat me tarifa për çdo gjë. Derisa prindërit paguajnë që nga gëlqerja apo boja për lyerje, tek mjetet e punës, tapeti e ushqimi, atëhere për çfarë dreqin duhet bashkia në këtë mes? Më shumë sesa justifikim për mungesë fondesh kjo ngjan të jetë një skemë zhvatëse. Nga njëra anë t’i japësh qindra milionë lekë Gole Tavos për të koleksionuar humbjet e Luftëtarit dhe për t’i lënë një mal me borxhe shtetit, ndërsa nga ana tjetër të zhvatësh prindërit me lekë për vaktet e fëmijëve dhe blerje tapeti, kjo është në kufijtë e kriminales. Sipas rrëfimit të nënës, edhe me rritjen e tarifës ditore për ushqim, fëmijët vazhdojnë të trajtohen po njësoj.
Pra nuk ka menu më të mirë sikundër iu premtua. Po ata prindër që mund të kenë dy apo më shumë fëmijë në kopësht dhe mund të jenë të papunë, me çfarë të ardhurash do t’i paguajnë tarifat që përcakton sipas qejfit Armand Mamani dhe Zamira Rami? Apo kushdo Armand e Zamirë që do të ishte në Bashkinë Gjirokastër. Edhe lekët e paguara prej prindërve nuk dihet se ku shkojnë. Askush nuk thotë sa kushtoi tapeti, sa bojë apo gëlqere u ble, sa është kostoja ditore për vaktet e fëmijëve, mbi bazën e cilës analizë apo studim është arritur në përfundimin se duhet rritur tarifa. Gjithçka është në terr.
Armand Mamani kërkon lekë dhe prindërit e gjorë si bankomat paguajnë, aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijët që nuk mund të kursehen. Shpresojmë që edhe prindër të tjerë të reagojnë dhe të mos tolerojnë praktika të tilla zhvatëse. Ju paguani taksa, refuzoni të paguani tarifat që vendos sipas qejfit bashkia pa asnjë procedurë transparente dhe për më tepër që nuk dihet se ku shkojnë.
©argjiroja.net