Pavarësisht se numri i të infektuarve me Covid-19 vijon të jetë i lartë, duket se frika nga pandemia sa vjen e zbehet.Madje edhe Presidenti Ilir Meta nuk i frikësohet më Covid-19. Përmes një videoje të publikuar nga vetë presidenti shihet se si bashkë me qytetarët, Meta feston pa drojë.
Në festën ku shihen dhjetra njerëz situata duket krejt e zakonshme, disa njerëz shihen të kapur dorë për dore duke kërcyer, e disa të tjerë të ulur ngjitur njëri-tjetrit pa asnjë masë sigurie.
Ndryshe nga disa muaj më parë kur i bënte thirrje qytetarëve të zbatonin masat kundër pandemisë, mbrëmë kreu i shtetit ia ka marrë vallës bashkë me banorët e Zall Dardhës.
“Një mbrëmje e paharrueshme në Zall Dardhë. Këto vise të mrekullueshme duhet të gjallërohen përgjithmone”, shkruan bashkangjitur videos Meta.
Javët e fundit është parë shpesh se jo vetëm qytetarë të thjeshtë nuk zbatojnë masat kundër pandemisë, por edhe ata që bëjnë thirrje për zbatimin e tyre ndryshe thonë e ndryshe bëjnë.