Me të marrë lajmin e shkarkimit nga detyra prej kryebashkiakut Flamur Golemi, Armand Mamani u nis për në kampin e LSI-së në Jalë, aty ku ndodhet prej disa ditësh edhe kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi. Ndërkohë drejtoresha e re e emëruar në vend të tij, Irena Karagjozi, sapo kishte marrë detyrën dhe normalisht siç ndodh në të tilla raste i bëhet një ‘krehje’ institucionit, më së shumti nga paranojat që kanë zyrtarët tanë.
Ajo kishte konstatuar një kabëll elektrik që dilte jashtë institucionit drejt një subjekti privat. Menjëherë janë kryer të gjitha veprimet proceduriale të verifikimit përmes Policisë së Shtetit dhe është thirrur për t’u marrë në pyetje subjekti tek i cili shkonte energjia elektrike.
Luljeta Baholli ka rrëfyer para policisë se energjinë ia kishte dhënë, Armand Mamani, nga zyrat e institucionit që ai drejtonte. Pas kësaj dëshmie, policia ka vijuar më tej veprimet proceduriale për të mbërritur deri tek ndalimi i ish-drejtorit të sapo kthyer nga kampi i LSI-së në Jalë.
Pra, edhe energjia që konsumonte objekti dykatësh i Violeta Bahollit dhe Eli Xhulatit, e cila administron një dyqan në zonën e Pazarit, faturohej tek energjia që paguante Bashkia Gjirokastër. Eli Xhulati është kushërira e parë e Armand Mamanit.
Teksa policia po kryente veprimet proceduriale dhe bëhej gati ndalimi i Armand Mamanit, ish-deputeti Vangjel Tavo u vu në lëvizje përmes njerëzve të vet në Policinë e Gjirokastrës, për t’i kopsitur letrat në mënyrë të atillë që dosja të mos shkonte në Prokurori. Këto përpjekje dështuan me sukses dhe paraditen e kësaj të diele policia njoftoi zyrtarisht ndalimin e ish-drejtorit të Bashkisë Gjirokastër dhe personave të tjerë të përfshirë në vjedhjen e energjisë elektrike.
Njoftimi
Ndalohet ish drejtori i Agjensisë së Mirqënies dhe Kujdesit Social për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Arrestohet në flagrancë një shtetase për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, dhe një shtetase tjetër shpallet në kërkim.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimin Ekonimik e Financiar në D.V.P. Gjirokastër u ndalua shtetasi A.M., 49 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
U bë arrestimi në flagrancë, i shtetases L.B., 40 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasia E.Zh., 53 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.
Arrestimi, ndalimi dhe shpallja në kërkim i shtetasve të mësipërm u bë pasi në depon e A.M.K.S. Gjirokastër është konstatuar një kabëll elektrik i lidhur në mënyrë të paligjshme, i cili përcillte energji elektrike në një objekt dy katësh, ambient i përshtuar për aktivitet tregetar, në përdorim nga shtetasia L.B dhe E.Zh., veprim i cili është kryer me miratimin e ish drejtorit të A.M.K.S. Gjirkoastër A.M, i cili i kishte të afërme shtetaset e mësipërme.
Veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokaster për hetime të mëtejshme.