PD dhe LSI janë në një koalicion të përbashkët opozitar prej gati dy vitesh. Por për Gjirokastrën kjo nuk mund të thuhet. Protesta e djeshme e thirrur nga opozita e ilustroi më së miri. Deputeti i LSI-së Vangjel Tavo dhe kryebashkiakja Zamira Rami nuk ishin në shesh krahas Tritan Shehut, Dasho Alikos, Roland Bejkos dhe mbështetësve të tjerë të PD-së. Nuk dolën as për të pritur kryetarin Lulzim Basha. Sa për sy e faqe LSI kishte dërguar në protestë kryetarin Krenar Kulla dhe disa të rinj të forumit, që mezi prisnin të mbaronte tubimi dhe të largoheshin pa rënë në sy.
Krenar Kulla madje nuk iu bashkua as folësve nga radhët e PD-së, që para kamerës hodhën akuza ndaj kryeministrit dhe qeverisë së tij. Por përse Vangjel Tavo dhe Zamira Rami refuzuan të dilnin në protestë? Natyrisht që nuk është çështje angazhimesh të tjera, por kanë refuzuar t’i bashkohen protestës me vullnet të plotë. Sikundër kemi raportuar më herët, Vangjel Tavo ka ndryshuar qëndrim politik karshi Ramës dhe qeverisë së tij. Kjo u pa lehtësisht edhe në takimin që Monika Kryemadhi pati në Gjirokastër disa javë më parë.
U pa edhe dje në protestën e thirrur nga opozita. Zgjedhja e bashkëshortes së tij, Sonila Popa, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me propozim të Edi Ramës dhe vota të socialistëve, do të diktojë sjelljen politike të Tavos. Dhe ne kemi parë deri më tani dy akte që e ilustrojnë këtë qëndrim të ri të deputetit të LSI-së. Me siguri që aktin e tretë do e shohim në fushatën dhe zgjedhjet lokale të qershorit 2019. Vangjel Tavo e ka mbyllur një pazar të ri politik me Edi Ramën dhe për këtë s’duhet më të ketë asnjë dyshim.
Sa i përket mungesës së Zamira Ramit në protestë, tre janë opsionet që e shpjegojnë. E para, edhe ajo mund të jetë pjesë e pazarit politik të Tavos me Edi Ramën dhe thjesht po pret zgjedhjet. E dyta, Zamira Rami e ka kuptuar se s’ka asnjë mundësi për të rikandiduar dhe po pret thjesht të mbyllë mandatin, pa dashur të përzihet në aksionet opozitare. E treta, Zamira Rami ka ‘alergji’ të dalë në shesh me Dasho Alikon, Roland Bejkon, Tritan Shehun dhe gjithë njerëzit e PD-së që e qesëndisin lart e poshtë. Kujtoni pak mbledhjen e fundit të aktivit të PD-së. Dasho Aliko lëshoi lumë akuzash ndaj saj për korrupsion dhe shpërdorim fondesh.
Në këtë kuptim, kur PD-ja në Gjirokastër s’e pranon Zamira Ramin, kjo e fundit është në të drejtën e vet të refuzojë t’i bashkohet në protestë. Kandidati i opozitës në Gjirokastër nuk dihet ende kush do të jetë, ndonëse ka kohë që përfliten disa emra. Megjithatë gjasat janë që PD-ja ta humbasë sërish Bashkinë Gjirokastër. Protesta e djeshme konfirmoi krizën e madhe të besimit tek opozita. PD rrezikon që nga këto zgjedhje të dalë edhe më dërrmuar se zgjedhjet e fundit.
©argjiroja.net