Me statutin e ri të FSHF-së, klubet e Kategorisë së dytë nuk kanë të drejtë vote, por ata nxjerrin delegatë nëpërmjet Shoqatës Rajonale të Futbollit. Ndryshe nga shoqatat e tjera që i kanë përcaktuar që në muajin prill, ajo e Gjirokastrës akoma nuk ka nxjerrë delegatët që do të përfaqësojnë Shoqatën në Asamblenë Zgjedhore.
E gjithë kjo është një anomali, për faktin se, mirë që këtyre klubeve që janë anëtare të kësaj shoqate iu është hequr e drejta e votës, por tani në këto momente nuk dihet se çfarë po ndodh me zgjedhjen e delegatëve.
Klubet anëtare janë prej vitesh aty, kanë marrë pjesë rregullisht në garat e organizuara nga FSHF-ja dhe askush nuk e ngre zërin për këtë problem, pasi janë disa manovra që nuk lënë një shije të mirë.
SITUATA ME DELEGATËT
Aktualisht, nëse hyjmë të faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit do të shikojmë njoftimet e mbledhjeve të organizuara nëpër Shoqatat Rajonale të Futbollit për delegatët e zgjedhur që do të përfaqësojnë shoqatën me të drejtë votë në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së.
Në total, nga 8 Shoqatat Rajonale të Futbollit, Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Gjirokastër, 7 prej tyre i kanë përcaktuar delegatët që do të përfaqësojnë shoqatën, ndërsa mister akoma ngelet vetëm ajo e Gjirokastrës, e cila nuk gjendet dhe nuk dihet se kur do të zhvillojë mbledhjen për të nxjerrë delegatët dhe sa do të jetë numri i tyre.
Gazeta “Panorama Sport” ka realizuar një hulumtim për këtë çështje duke i telefonuar të gjithë zyrtarët e klubeve që janë anëtare të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër.
PËRMETI – Zyrtari i Përmetit, Besmir Teme, është revoltuar nga interesimi i gazetës dhe ka refuzuar të japë një përgjigje.
MEMALIAJ – Memaliaj, nëpërmjet shefit të klubit, Xhevit Kaçorri, ka zbuluar se persona që nuk kanë lidhje me klubet, po tentojnë të marrin të drejtën e votës: “Po ju them vetëm se mbledhja për të nxjerrë delegatët nuk është zhvilluar akoma. Ne nxituam të bëheshim anëtarë të shoqatës dhe menduam se shoqata do të përbëhej nga pesë klube, Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet, Këlcyrë, por faktikisht tagrin e kanë marrë disa emra që janë anonim, që as i kemi njohur dhe as i njohim”, përfundoi ai.
TEPELENA – Zyrtari i Tepelenës, Roland Gaba, i pyetur nga gazeta në lidhje me mbledhjen apo numrin e delegatëve është shprehur: “Mbledhja për të përcaktuar delegatët nuk është mbajtur akoma, sa kam informacion unë Shoqata Rajonale e Futbollit të Gjirokastrës do të nxjerrë dy delegatë”.
AF LUFTËTARI – Administratori i klubit, Dritan Kristidhi, ka thënë: “ Nuk kam informacion për këtë pyetje që po më bëni”.
KËLCYRË – Zyrtari i këtij klubi nuk ka qenë i disponueshëm për të folur duke kërkuar që të telefonohet ditën e nesërme. Nga ana tjetër, sipas pikave që janë futur në statutin e FSHF-së në Asamblenë e fundit, ekziston një mundësi që kjo shoqatë të ngelet me vetëm një votë, pasi sipas llogaritjeve të regjistrimit të lojtarëve, e cila ndan numrin e delegatëve nëpër shoqatat përkatëse, ajo e Gjirokastrës mund të përfaqësohet nga vetëm një delegat për shkak të numrit të ulët të lojtarëve të regjistruar./ Panorama Sport