Prej disa ditësh në Tiranë protestohet për rritjen e çmimeve. Kjo protestë ka kulmuar këtë të shtunë para Kryeministrisë. Por, edhe si në rastet e tjera, kjo protestë është marrë peng nga politika. Fillimisht ishte Sali Berisha me Petrit Vasilin, që u shfaqën si organizatorë të protestës, duke bërë thirrje para nisjes së saj, që të mblidhen sa më shumë njerëz.
Më pas, dora e tyre shihej edhe tek personat që merrnin fjalën për të folur.
Përveç disa personazheve si Florian Binaj, të gjithë folësit ishin personazhe politikë, duke nisur nga ish-ministrja e PD, Karabina, deri tek përfaqësuesit e Aleancës së Teatrit, që mbështeten nga Ilir Meta.
Ata ishin jo vetëm kundër Ramës, por sulmuan dhe Lulzim Bashën me fjalorin e Berishës, duke e cilësuar Lulzim Brava, gjë që tregon qartë kush qendron prapa kësaj proteste.
Janë të njëjtët njerëz, që sa herë bëhet ndonjë protestë për hallet e shqiptarëve, dalin në ballë të protestave si vemjet, ose për të përfituar politikisht, ose për t’i prishur ato, si në rastin e protestës së studentëve, të cilën e prishin me qëllim, nga frika se po u “vidhnin” edhe opozitën.
Ndaj është e shëmtuar kur sheh se si keqpërdoret një protestë dhe hallet e qytetarëve, të cilët me të drejtë kërkojnë marrjen e masave për lehtësimin e situatës. Vetëm se hallet e tyre, po përdoren për qellime pushteti nga dyshja Berisha-Meta./ TemA