Policia e Shteti ka vazhduar aksionin e gjobave administrative ndaj qytetarëve ‘rebel’ që refuzojnë të mbajnë maskën në ambientet publike.
Blutë kanë bërë të ditur se janë ndëshkuar 1579 qytetarë për shkak se qarkullonin pa barriera mbrojtëse. “Ndëshkohen me masë administrative 1579 qytetarë që u konstatuan pa maskat mbrojtëse, gjatë fundjavës.
Masë administrative 1.000.000 lekë për një subjekt që nuk respektoi protokollet e sigurisë. Masë administrative edhe për 7 qytetarë që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00, në fundjavë.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1579 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse”, thekson Policia e Shtetit.
Në njoftimin zyrtarë bëhët me dije se është ndëshkuar dhe një pronar lokali si dhe 7 qytetarët që qarkullonin pas orës 22:00.
“Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, 1 lokal në ambientet e të cilit nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.
Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 7 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00”, thekson Policia.