Gazetarja Anila Hoxha ka reaguar ashpër pas ofendimeve të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj kundrejt efektivëve të policisë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Hoxha shkruan se 11 mijë policë, të paguar keq, me uniforma të dala boje dhe këpucë kartoni, dje morën vesh që ishin ‘policë’ dhe prandaj sillen me ta, si nëpër anekdota.
Ajo shton se kanë dhënë jetën 224 policë që janë shpallur dëshmorë të atdheut, ndërsa për 40 të tjerë, çështja e të shpallurit dëshmorë është në process. Dhe të gjithë këta, siç shton gazetarja, i kanë kaluar vdekjes përbri që Lleshaj të bëhej ministër.
“Janë 11 mijë policë në krye te detyrës. Paguhen keq. Me uniforma të dala boje dhe këpuce kartoni. Por ata vazhdojnë në polici. Herë iu vënë shkelmin e herë ju hedhin krahëqafe dorën. Varet nga eprori. Përdoren si t’i teket çdo mazhorance, herë si kordele ne protesta, herë si krahë pune, herë u shqepen gradat që t’i ngjiten “mikut të mikut”. Herë flakën në rrugë e herë tradhëtohen. Herë i turrin ” bjeri qerratait” e here, qepju këmba këmbës në drejtim të paditur.. ! Këta 11 mijë gra dhe burra, dje e morën vesh që janë policë ndaj sillen me ta si nepër anektoda! Kanë dhënë jetën 224 policë që janë shpallur dëshmorë të atdheut. Ishin policë dhe vdiqën policë!!! Për 40 policë të vrarë, çështja e tyre eshte nën proces për tu shpallur dëshmorë. Edhe ata ishin policë dhe vdiqën policë! 256 janë plagosur në aksionë të ndryshme. I kanë kaluar përbri vdekjes! Edhe ata ishin dhe janë policë! Që ti zotëria juaj! Madhëria juaj! Shkëlqesia juaj!! Të bëheshe ministër dhe ti pështyje… mu në zemër!”- shkruan Anila Hoxha.
Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri një deklaratë të turpshme teksa po i përgjigjej deputetit Myslym Murrizi. Ministri që ka në varësi një trupë policore me mbi 10 mijë efektivë të Policisë së Shtetit, fyejti deputetin duke i thënë “polic ke qenë, polic ke mbetur”. Pas këtij momenti, Lleshaj censuroi deklaratën e tij në Facebook, ndërsa sot kërkoi ndjesë publikisht.