Nga shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër dhe shërbimet e FRONTEX-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestua në flagrancë shtetasi R. Ç., 23 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Shtetasi R. Ç. u kap në fshatin Lazarat, duke transportuar me automjetin tip “Audi”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 250 euro për person.
Gjithashtu, ky shtetas ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.