Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, i është përgjigjur ish-deputetit Vangjel Tavo për cështjen e ndalimit nga policia të Armand Mamanit. Në një deklaratë të gjatë Golemi nuk le gjë pa i thënë Tavos, pasi ky i fundit e akuzoi se kishte sajuar cështjen e vjedhjes së energjisë tek obelisku. Më poshtë reagimi i plotë i Golemit.
Nuk më habit fare fakti që ish-deputeti humbi qetësinë dhe zgjidhi gjuhën në Facebook. As nuk surprizohem nga broçkullat që shkruan. Në kushtet ku është kjo pritej. Por të paktën nuk duhet t’i jepte vetes atributet e prokurorit apo gjykatësit për një çështje që nuk i përket dhe s’e di si është e vërteta.
Deklarata e tij haluçinante s’është asgjë më shumë e asgjë më pak sesa thjesht presion mbi organet e drejtësisë. Tjetër kënd nuk impresionon dot me ato që thotë. Unë si kryebashkiak as nuk arrestoj njeri e as nuk vendos kush është i fajshëm e kush duhet të amnistohet.
Unë kam për detyrë të përmbush detyrat e mia funksionale dhe të mos toleroj shpërdorimin e çdo qindarke të taksapaguesve gjirokastritë, të mos toleroj abuzimin me fondet dhe asetet publike. Për rastin konkret, drejtoresha e re e asaj agjencie s’ka bërë as ndonjë heroizëm dhe as ka sajuar ndonjë komplot sikundër pretendon ish deputeti.
Irena Karagjozi ka bërë thjesht detyrën. Ka konstatuar një kabëll të dyshimtë që dilte nga institucioni i saj dhe më pas ka njoftuar Policinë e Shtetit për të dokumentuar bashkë me specialistët përkatës nëse kishte vjedhje të energjisë elektrike apo jo. Se deri ku shkojnë përgjegjësitë e ish-drejtorit për të cilin ish-deputeti kërcen si gjeli majë plehut, unë këtë nuk di ta them. Ka ai faj apo jo, as këtë s’më takon mua ta them. Kjo është punë e drejtësisë.
Zoti ish-deputet, të jesh i sigurt se nuk të merr njeri seriozisht kur më quan mua të kompleksuar. Madje as vetë ti nuk e beson këtë gjë.
S’ka se si unë të jem i kompleksuar kur të munda në zgjedhjet e vitit 2017 dhe do të të mund sërish sa herë të të kem përballë.
Edhe sikur të kishe hyrë në zgjedhjet e 30 qershorit me gjysmë partinë tënde, do të të kisha mundur patjetër.
Ti dhe soji yt nuk mund t’i gënjeni më gjirokastritet e as t’i përdorni si mish për top.
Unë s’kam shtuar votat për PS-në e as radhët e mbështetësve të saj duke shkallmuar institucionet, as duke ndarë një vend pune për disa persona. Njerëz nga puna përmes letrave me vrimë nuk kam hequr kurrë e as do ta bëj.
Nuk kam zaptuar as toka bujqësore në Lunxhëri. S’kam marr as klub futbolli për ta zhytur në borxhe. Prandaj unë s’jam i kompleksuar. Për këto dhe mënxyra të tjera që t’i njeh e gjithë Gjirokastra, duhet të jesh ti i kompleksuar.
Edhe këtë reagim e kishe shumë. As injorimin e indiferencën nuk e meriton. Më beso! Ke kohë që nuk përfaqëson më asgjë.
Gjirokastra s’ka më kohë për të humbur duke të dhënë ty vëmendje. E pate shansin disa herë, madje të dhanë edhe bashkinë. Se çfarë bëre në Bashkinë Gjirokastër, ti si kryetar part time dhe zonja si noterja tënde, e dinë të gjithë. Më mirë hesht sesa të bëhesh gazi i botës.