Mbi rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ ”Stop”, gjatë të cilit u trajtua konflikti që kanë, prej një viti, shtetasit L. I. dhe Z. I. (bashkëshorti i shtetases L. I. dhe njëkohësisht avokat i çështjes), palë pretenduese, me shtetaset A. H., V. D. dhe B. V., për një objekt (banesë), në fshatin Progonat, Tepelenë, ju bëjmë me dije se:
Të dyja palët kanë bërë kallëzime për konflikte në lidhje me këtë banesë. Në çdo rast materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Gjithashtu, të dyja palëve u është bërë me dije që në fillimet e këtij konflikti se pretendimet e tyre janë të karakterit civil dhe për këtë arsye ata duhet të drejtohen me paditë përkatëse në organet gjyqësore.
Aktualisht nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga Gjykata, mbi statusin pronësor përfundimtar të banesës objekt konflikti. Gjithashtu, nuk ka asnjë kërkesë të shërbimeve përmbarimore, për ekzekutimin e ndonjë vendimi gjyqësor për këtë pronë.
Më datë 18.08.2022, pala pretenduese, shtetasit L. I., Z. I. (bashkëshorti i shtetases L. I. dhe njëkohësisht avokat i kësaj çështjeje), Sh. G., A. G., A. I., V. C. dhe G. L. kanë shkuar në banesën objekt konflikti dhe kanë tentuar të nxjerrin me forcë palën tjetër, shtetaset V. D. dhe A. H., të cilat jetonin në këtë banesë, prej vitit 1987.
Pas kallëzimit të bërë nga shtetaset V. D. dhe A. H. është ndërhyrë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Për sa më sipër, veprimet e Policisë janë kryer konform procedurave standarde të punës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
DVP Gjirokastër apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në strukturat e Policisë, në numrin pa pagesë 112 dhe në aplikacionin Komisariati Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe i paanshëm.