“Europa duhet të përforcojë kufijtë e hapur me Schengen, duke përfshirë një mbrojtje më të fuqishme të kufijve të jashtëm të zonës”. Ky propozim erdhi një ditë më parë nga Presidenti francez Emmanuel Macron, pas sulmeve terroriste në Francë dhe Austri.
Kontrolle më të rrepta janë të nevojshëm sipas Macron për të frenuar emigracionin klandestin, ndërsa shtoi se bandat kriminale që trafikonin në mënyrë të paligjshme emigrantë në Evropë shpesh lidheshin me rrjetet terroriste.
“Unë jam për një rregullim të thellë të Schengen-it për të rimenduar organizimin e tij dhe për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët kufitare me një forcë të duhur kufitare”, tha Macron në një vizitë në kufirin franko-spanjoll.
Macron tha se ai do t’u paraqiste propozimet partnerëve të Bashkimit Evropian në një samit në dhjetor.
Franca do të mbledhë mbështetjen e vendeve përpara samitit dhe shpreson se Gjermania do të vendosë emrin e saj në plan, tha një zyrtar qeveritar, duke përmendur Holandën dhe Austrinë, si aleatë të tjerë të mundshëm.
Evropa është tronditur javët e fundit nga sulme terroriste në Francë dhe Austri, që kanë lënë pas viktima dhe të plagosur, ndërsa atentatorët kanë qenë të lirshëm të lëviznin mes vendeve anëtare të Schengen-it./ Burimi Reuters