Teksa po skadon afati për ankime në Komisionin e Ankesave dhe Aksioneve për zgjedhjet e 25 prillit, të tjera padi janë regjistruar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas Gjirokastrës, Beratit dhe Durrësit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar sot rezultatin në qarqet Korçës dhe Vlorës.
Sipas LSI vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për të karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit.
Në ankimimin, LSI shkruan në të dyja ankesat e paraqitura në KAS se urdhri për ‘vetëkarantinimin e detyrueshëm’, për një periudhë dy javore për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia ka ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit.
Sipas ankimimit të bërë nga ky subjekt zgjedhor, në baze të votave të dala në zgjedhjet e 25 prillit, shifrat tregojnë se Urdhëri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka pasur si qëllim të godasë politiksht, drejtëpërdrejt Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas LSI ky fakt reflektohet se dhe në rezultatin zgjedhor.
Pikërisht kjo masë, arsyeton LSI, e propozuar dhe e marrë 4 ditë përpara datës së zgjedhjeve, ishin akte të formësuar nga vullnet jo objektiv, por i orientuar politikisht e që solli si pasojë direkte negative pengimin e këtyre qytetarëve për të ushtruar të drejtën e tyre. Ky orientim u pa qartë sipas LSI, me anulimin me datë 3 muaj 2021 të këtij urdhri, pak ditë pas mbarimit të zgjedhjeve.
Me Korçën dhe Vlorën bëhen 3 qarqet që LSI ka ankimuar vetëm me argumentimin se ka ndikuar vendimi për karantinim të të ardhurave nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Kujtojmë se dje LSI ankimoi qarqet Berat dhe Durrës. LSI shprehet se gjatë numërimit të votave të vlefshme ka pasur parregullsi nga grupet e numërimit, ku sipas pamjeve filmike dhe provave të mbledhura nga komisionerët e saj, janë të paktën 80 vota të vlefshme që i janë marrë LSI-së në Berat. Për këtë, LSI ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në disa QV dhe përsëritjen e zgjedhjeve për të gjithë qarkun e Beratit.