25 prilli është një çështje e mbyllur për opozitën. Pas rikonfirmimit të Bashës përmes zgjedhjeve që dihet si u sajuan dhe ku nuk pritej asnjë surprizë, PD sheh tani me sytë nga zgjedhjet lokale. Ndoshta nuk ka ende një organizim qëndror sepse askush s’di me saktësi se çfarë do të ndodhë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka emra që pretendojnë të kandidojnë, të cilët kanë nisur lëvizjet në terren për të qenë gati në momentin më të parë kur zgjedhjet do të mbahen. Bashkia Sarandë pritet të rezervojë një garë interesante nëse PD do të zyrtarizojë si kandidat avokatin e njohur Adriatik Lapaj. Emri i tij jo vetëm që përflitet gjithnjë e më shumë në rrethe të ngushta në Sarandë, por vetë Lapaj është në terren muajt e fundit duke zhvilluar takime të ndryshme për të mos i lënë gjë mangut kësaj ambicie të tij të re.
Takime sa me njerëz të strukturave të PD-së, sa me ata të ‘inxhinierimit’ të votave e deri tek ata që i sugjerojnë gjithashtu edhe ‘blerjen’ e mediave lokale sipas stilit alla Rama-Veliaj. Natyrisht që këtu s’ka asnjë mëkat apo gabim nga Lapaj, qoftë në ambicien e tij për të drejtuar Bashkinë ashtu edhe në përpjekjet që bën për ta përmbushur këtë ambicie. Të dyja janë legjitime, sidomos po të marrim parasysh batakun ku ka rënë PD-ja, me personazhe tërësisht të atrofizuar dhe pa pikën e kredibilitetit në publik. Adriatik Lapaj i shton vlerën PD-së dhe sigurisht garës së pritshme në Sarandë. Defekti i tij më i madh, që e pranon edhe vetë Lapaj, është mosnjohja e strukturës lokale të PD-së dhe ardhja nga jashtë radhëve të saj. Por kjo është lehtësisht e kapërcyeshme për aq kohë sa në Shqipëri partitë politike janë pronë e kryetarit. E thënë më thjeshtë, nëse Basha e ka ndarë mendjen për kandidimin e Lapajt, gjithë struktura lokale vihet në rresht dhe asgjë nuk ndodh. Qameti do bëjë pak zhurmë Kreshnik Bozho, një kandidat gjithashtu i fortë që në vitin 2015 e humbi Sarandën për fare pak vota të Ksamilit. Por kaq, asgjë më tepër.
Ndërkohë vetë Basha ka le të themi një lloj “borxhi” me Adriatik Lapajn, i cili ishte sa në çadrën e PD-së ashtu dhe te protestat për Teatrin Kombëtar e në plot aksione të tjera që mbështeteshin nga opozita. Natyrisht që shkonte nën petkun e shoqërisë civile, si aktivist dhe një zë i fortë publik, por gjithë narrativa e tij në media çonte ujë në mullirin e opozitës. Në këtë kuptim themi që mbase ka ardhur koha që Lulzim Basha t’i kthejë prapa Adriatik Lapajt kontributin e tij duke e nominuar si kandidat të PD-së për Sarandën. Dhe siç e përmendëm më sipër, PD është në krizë për njerëz me kredibilitet dhe që mund të demonstrojnë një qasje tjetër më civile e qytetare larg gjuhës refraktare që kemi parë shpesh vitet e fundit dhe retorikës që nuk çon askund. Adriatik Lapaj është një zë ndryshe dhe një i ri që mëton të shpërfaqë një model të munguar në radhët e politikanëve shqiptarë apo shërbëtorëve publikë. S’e paragjykojmë dot për aq kohë sa deri më tani s’e ka pasur këtë mundësi, ndonëse tentoi në vitin 2013 me Aleancën Kuq e Zi, por as nuk përjashtohet teorikisht mundësia që pas buzëqeshjes së tij të jetë po i njëjti personazh si ata që kemi parë për 30 vite, me po ato instikte dhe vese si ata ata që kanë plakçitur Shqipërinë. Urojmë të mos jetë ky rasti!
Përveç takimeve të tij në terren në funksion të kësaj ambicie, nëse e ndjek me kujdes në daljet publike, Adriatik Lapaj është dukshëm i distancuar nga Lulzim Basha dhe PD-ja zyrtare kur vjen fjala te reforma në drejtësi. Kujdeset vazhdimisht të deklarojë se kjo reformë po shkon në drejtimin e duhur dhe se ky është një investim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë. Sigurisht që mund të jetë bindja apo këndvështrimi i tij profesional për këtë çështje, por zor të mos mendosh se kjo retorikë kaq e kujdesshme është edhe një luajalitet me ndërkombëtarët që e bënë dhe garantojnë reformën në drejtësi. Pra, i duhet një vullnet i mirë edhe nga të huajt për t’u ngjitur aty ku dëshiron. S’jemi duke thënë se do të marrë vota në Sarandë përmes ambasadorëve, por ama këta të fundit do ta fshikullonin më kollaj publikisht një kandidat fjala vjen, që do të fliste për reformën në drejtësi njësoj si Sali Berisha. Adriatik Lapaj e di mirë këtë gjë. Sidoqoftë deri në zyrtarizimin e tij ka ende shumë kohë e do të rrjedhin plot ujëra. Lulzim Basha të gënjen edhe për orën ka thënë Ilir Meta, prandaj asgjë nuk është e sigurt deri pranverën e vitit 2022 apo në pranverën e 2023, varet se kur do të bëhen zgjedhjet lokale. ©argjiroja.net