Partia Demokratike konteston rezultatin e zgjedhjeve në qarkun Gjirokastër njësoj si LSI-ja, e cila nuk e kapërdin dot humbjen e kandidatit “fringo të ri”, Vangjel Tavo. Dosja e depozituar në KAS nga PD e LSI përsa iu përket fakteve dhe provave mbi të cilat duhen mbështetur pretendimet është më shumë se qesharake. Ato që shkruhen në atë dosje nuk janë të denja as për muhabete e trillime mejhanesh, le më pastaj të shërbejnë për të ndryshuar fatin e zgjedhjeve, i cili është vulosur me humbjen e radhës së opozitës, që nuk diti të ishte një alternativë më e mirë se Partia Socialiste, por shkoi në zgjedhje me naivitetin se pushteti merret mjafton të shahet e mallkohet Edi Rama dhe se pas 8 vitesh ka rotacion me patjetër.
Nuk po merremi këtu fare me gabimet trashanike në atë dosje, ku PD nuk di as emrat e saktë të kandidatëve të PS-së dhe as renditjen në listë. Kjo është çështje tjetër, pjesë e estradës post-humbje nga Basha. Por ka një detaj që nuk duhet anashkaluar. Në fund të procesit të numërimit në Gjirokastër, jashtë pallatit të sportit drejtuesi politik i PD-së, Tritan Shehu, shtrëngoi duart me drejtuesin e PS-së, Bledi Çuçi dhe e uroi për fitoren.
Tani edhe të pranosh humbjen publikisht, edhe të urosh kundërshtarin për fitoren, pastaj të kërkosh të shpallësh zgjedhjet të pavlefshme, është vërtet mjerim i madh për opozitën jo vetëm në Gjirokastër, por në mbarë vendin. Lulzim Basha e ka futur në qorrsokak PD-në. Dorëheqja e tij e menjëhershme dhe hapja e garës mund ta shpëtojë PD-në. Basha ka humbur 4 palë zgjedhje, mos shpresoni se do të fitojë ndonjëherë përballë Ramës. ©argjiroja.net