Kandidati i LSI-së, për qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo i ka bërë një ftesë të hapur për t’u përballur në një debat publik Bledi Çuçit, nga PS-ja, fill pasi drejtuesi politik i PS-së e ironizoi gjatë një takimi elektoral në Tepelenë. Çuçi i solli në vëmendje Tavos një pjesë nga ish Estrada e Fierit.
“Shihni çfarë bën kandidati i LSI-së. Ka humbur ekulibrin mendor, është bërë njësoj si kryetari i vet. E mbani mend estradën e Fierit, që thotë “ishin veshur partizanët si partizanë, që ne t’i merrnim për ballistë. Edhe Vangjeli tani këtë po thotë. Ka shkuar njëri, që t’i thotë kam ardhur nga Vangjeli për të të dhënë lekë, por t’i voto Partinë Socialiste. Përse ndodh kjo? Sepse e ndjen forcën tonë që ne jemi të sigurt që do të qeverisim Shqipërinë për të paktën 8 vitet e tjera” deklaroi Çuçi.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’ Tavo fton Çuçin që të caktojë ai orën dhe vendin, që të diskutojnë përballë, që nga inskenimet për blerje votash e deri në prezantimet e ideve.
Reagimi i Tavos
E ftoj Çuçin në një debat të hapur publik, ku të dojë, vendin, ditën dhe orën ta zgjedhë ai vetë, e të diskutojmë përballë që nga inskenimet për blerje votash e deri në prezantim idesh nëse ka dëshirë. Dhe mbi të gjitha le të flasë përballë meje dhe t’u drejtohet publikisht familjeve të thjeshta të qarkut tonë për çfarë u ka bërë “Rilindja” këto vite. Të pres! Ku dhe kur të duash! Vangjel Tavo