Ashtu siç ishte parashikuar, ndeshja e javës së parë për Grupin B të Kategorisë së Parë mes Pogradecit dhe Luftëtarit nuk është zhvilluar dje në qytetin liqenor.
Skuadra gjirokastrite nuk ekziston prej dy muajsh dhe FSHF, duke qenë se e kishte licencuar për të marrë pjesë në sezonin e ri, ishte e detyruar të priste nisjen e kampionatit e më pas të zbatonte rregulloren.
Tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës për ta përjashtuar edhe zyrtarisht nga gara klubin gjirokastrit, që pritet ta nisë me një emër tjetër në sezonin 2021-2022 nga Kategoria e Dytë.
Por, çfarë do të ndodhë me kalendarin në Grupin B, ku kanë mbetur vetëm 8 skuadra? Mësohet nga burime zyrtare në FSHF se kalendari do të vazhdojë ashtu siç është, por me ndryshimin që çdo javë do të bëjnë pushim dy skuadra. Pra, në Grupin B të Kategorisë së Parë do të luhen vetëm tri ndeshje.