Një ngjarje e turpshme për turizmin shqiptar është regjistruar pak ditë më parë në Porto Palermo të Vlorës. Pesë turistë spanjollë janë goditur nga Mihal Kokëdhima, pronari i një lokali. Turistët janë larguar nga restoranti, pasi nuk u kishte pëlqyer shërbimi dhe kishin hipur në furgon.
Por pronari i lokalit nuk është mjaftuar me kaq. Ai i ka gjëmuar nga prapa, ndërsa ka thyer edhe xhamin e furgonit ku ndodheshin turistët spanjollë. Së fundmi Argjirolajm.net ka siguruar edhe një video nga vendi i ngjarjes. Në pamje shihet Mihal Kokëdhima, teksa është mbajtur në kofanon e furgonit dhe vijon të godasë me grushte xhamin, derisa arriti që të thyente, ndësa në dorë kishte edhe një thikë.
Kjo situatë ka shkaktuar terror tek turistët spanjollë, por edhe tek shoferi i furgonit dhe shoqërusi nga Saranda. Në video dëgjohen britma dhe ofendime, ndërsa ka edhe njolla gjaku, si pasojë e goditjes së xhamit me grusht nga Kokëdhima, i cili tenton ta shqyejë.
Ndërkohë shoferi i furgonit ishte drejtuar për në Qeparo dhe më pas në Sarandë, për të dorëzuar në rajon pronarin e lokalit. Kurse shoqëruesi merr në telefon policinë, duke i thënë se po i ndjekin nga pas dhe kërkojnë t’i vrasin. Pas afro 3 km rrugë, Kokëdhima kërkon të zbresë, pasi po e lënë forcat, mirëpo edhe kur furgoni ndalon, ai tenton të hapë derën e furgonit dhe të sulmojë turistët.
Pjesë nga biseda:
Mihal Kokëdhima: Mbaje, mbaje, mbaje se do hidhem unë po mbaje – o ç’vdiqa, mbaje këtu të thash se do vdes këtu
Shqiptarët në furgon: Zbrit nga makina tani, zbrit poshtë. Po na ndjekin nga mbrapa të tjerët. Nuk do ndaloj fare, do shkoj në polici direkt. Merrni policinë, do vijë këtu policia, në Sarandë do vemi. Shkoni në polici kështu
Telefonata me policinë: Ngrini postbllok në Qeparo…erdhën me thika, kanë thyer makinën.