Ndërkohë që nga PS-ja hidhen e priten disa emra si kandiadatë të mundshëm për kryetar bashkie në Gjirokastër, gjërat po lëvizin edhe në radhët e opozitës, pavarësisht se kjo e fundit deri më tani duket e vendosur për të mos hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Herët a vonë, në mos tani në qershor, zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtë. Së fundi opozita ka një alternativë tjetër për Gjirokastrën, një kandidaturë që ndoshta mund ta unifikojë si PD-së ashtu edhe LSI-së në këtë qytet.
Ai është ish-deputeti Vangjel Tavo. S’ka asnjë dyshim që Tavo merr më shumë vota se Zamira Rami, në rast të një rikandidimi të saj apo se kushdo kandidat tjetër nga radhët e opozitës. Vangjel Tavo e di shumë mirë se pesha politike është më e madhe kur je në Parlament se sa kur je duke shëtitur nëpër Dropull me Arhilenë apo në takime pa bereqet me Monikën. Je faktor natyrisht edhe nëse drejton një bashki të madhe si Gjirokastra, ku realisht ai ka votuesit dhe ithtarët e vet.
Tavo tani mund të jetë përpara dy alternativash; ose pret zgjedhjet e vitit 2021 për të rikandiduar për deputet ose kandidon për Bashkinë Gjirokastër dhe në rast fitoreje ka përpara një tjetër plan; dorëhiqet nga Bashkia Gjirokastër dhe hyn në garë për mandatin e deputetit. Në cdo rrethanë mbajtja e Bashkisë Gjirokastër nga LSI-ja është një garanci për zgjedhjet paralmentare të ardhshme për këtë parti.
Me Zamira Ramin ose një kandidat tjetër nga radhët e PD-së, opozita nuk e fiton dot Bashkinë Gjirokastër. I vetmi që ka shanse është Vangjel Tavo. Le të presim deri në zyrtarizimin e kandidaturave. Por nëse e ka ndarë mendjen për të kandiduar në Gjirokastër, së paku Vangjel Tavo duhet të jetë qytetar i Gjirokastrës me letra. Të transferojë gjendjen civile nga Jorgucati.
©argjiroja.net