Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, nis hakmarrjen me punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët nuk zbatuan urdhërin e saj për të nxjerr forcërisht KZAZ-në nga pallati i sportit. Argjirolajm.net siguron dy vendime të firmosura prej Ramit kundër Mikel Budos, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër. Në datë 28 qershor, kryebashkiakja i ndërpret pagesën për ditën e punës Mikel Budos, ndërsa një ditë më parë ka firmosur shkresë për largimin e tij nga puna.
Sigurisht që Zamira Rami është ende kryebashkiake në detyrë dhe ka të drejtë të firmosë vendime, por hakmarrja e saj ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake është shumë banale. Edhe sikur policët e gjorë të hynin forcërisht në pallatin e sportit, zgjedhjet në Gjirokastër do të zhvilloheshin. Nuk i ndalonte dot as Zamira Rami me shkresa, as Dashua me Krenarin dhe Aurelin.
Le më pastaj t’i ndalonte Vangjeli me Tritanin. Por sipas kryebashkiakes Mikel Budo ka edhe një ‘problem’ tjetër. Ai ka shkuar të votojë në zgjedhjet e 30 qershorit. Votimin e tij e ka dokumentuar madje me video edhe drejtori-kushëri i kryebashkiakes, i cili ndodhej jashtë qendrës së votimit. Sidoqoftë është shumë banale dhe pa kuptim që një kryebashkiake të bjerë në nivele të tilla.
Ajo që ka punësuar në Bashki njerëz me diplomë të falsifikuar dhe s’ka mbajtur asnjë përgjegjësi për këtë gjë, pushon nga puna një punonjës të Policisë Bashkiake gjoja se nuk ishte paraqitur në punë apo edhe sepse shkoi të votonte. Nuk e dimë nëse Mikel Budo ka shkuar të votojë sepse vlerëson Flamur Golemin dhe PS-në apo ka qenë i detyruar nga frika se mos humbiste vendin e punës pas 30 qershorit.
Ai sot është viktimë e këtij sistemi të fëlliqur që ne kemi ngritur të gjithë bashkë ndër vite. Nëse nuk shkonte të votonte, do të ndihej i pasigurt pas 30 qershorit për vendin e punës. Tani që shkoi votoi, kryebashkiakja në ikje e pushon nga puna sepse si të thuash i doli nga ‘rreshti’. Absurde dhe e turpshme njëkohësisht. Ne shpresojmë që vota e Mikelit në fakt të ketë qenë ajo me mbishkrimin ‘Fuck you all; PS, PD, LSI’…
©argjiroja.net