Me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar zonat e mbrojtura për 12 objekte me status monument kulture. Me anë të këtij vendimi, për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko-estetike, me rrethinën si dhe me rrethanat ekologjike.
12 zonat e mbrojtura të miratuara së fundmi i shtohen listës prej 89 zonave të tjera të monumenteve të kulturës të shpallura përgjatë periudhës 2014-2017 nga Instituti i Monumenteve dhe Ministria e Kulturës.
Mbrojtja e zonave përreth objekteve të trashëgimisë ka qenë një ndër masat e para që ministrja Mirela Kumbaro ndërmori në mandatin të saj të parë në krye të Ministrisë së Kulturës duke pezulluar edhe lejet zhvilllimore që preknin këto zona për shkak të gjendjes alarmante që paraqitej 4 vjet më parë.
Tashmë zonat përreth objekteve të trashëgimisë mbrohen si pasuri publike dhe si pjesë përbërëse e panoramës dhe e peizazhit natyror, i cili ndihmon në ruajtjen dhe evidentimin e Trashëgimisë Kulturore.
Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen pas një studimi të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, me qëllim mbrojtjen e territorit përreth monumentit të kulturës, ku ndalohet çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor.
Lista e Zonave të Mbrojtura të Monumenteve të Kulturës të miratuara në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve janë:
1. “Kisha e Shën Mëhillit”, Vithkuq, Korçë
2. “Ujësjellësi i Vranishtit”, fshati Vranisht, Bashkia Vlorë
3. “Ura e Bratajt”, fshati Brataj, Bashkia Vlorë
4.“Ura e Frëngut” fshati Gjorëm, Bashkia Vlorë
5. “Ura e Kaurit (frëngut)” fshati Poshnje, Bashkia Ura Vajgurore
6. “Ura e Tamarës mbi lumin Cemi i Vuklit dhe Hani pranë saj”, fshati Tamarë Kelmend, Bashkia Shkodër
7. “Ura e Vashës”, fshati Klos, Bashkia Mat
8. “Ujësjellësi i Bënçës”, fshati Bënçë, Bashkia Tepelenë,
9. “Ura e Kamares”, në Fshatin Mirakë, Bashkia Librazhd
10. “Ura e Mesit mbi Përroin e Kirit Mes”, Bashkia Shkodër
11. “Ura e Zotos”, Vithkuq, Bashkia Korçë
12. “Kisha e Shën Mërisë, Vithkuq” Bashkia Korçë