Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur në orën 10:00 mbledhjen për shqyrtimin e përgjigjes së mbërritur nga Prokuroria e Përgjithshme për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.
Mësohet se përgjigjja e Prokurorisë së Përgjithshme për Kajmakun u është shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet.
Mbledhja e KQZ vjen pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili kërkoi në emër të PD që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i heqë mandatin kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.
Disa javë më parë, Partia Demokratike publikoi një vendim të prokurorisë dhe gjykatës së Janinës, të datës 19 qershor 2003, ku thuhej se ai ishte arrestuar në janar 2003 në Janinë për blerje të fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara. Kajmaku i mohoi akuzat, deri në momentin kur u publikua një vendimi Gjykatës së Janinës, ku pushonte çështjen nga tij, duke e shpallur atë të pafajshëm.