Policia e Shtetit feston sot 109 vjetorin e krijimit të saj. Në Tiranë, është zhvilluar një ceremoni për vlerësimin e disa drejtuesve të saj, por dhe të zyrtarëve të tjerë që kanë ngritur lartë imazhin e Policisë së Shtetit në komunitet.
Një prej tyre ishte dhe Genti Mullai, drejtori për mediat në Policinë e Shtetit, i cili për vite me radhë ka shërbyer edhe në Drejtorinë e Gjirokastrës në postin e Zëdhënësit. Në gatishmëri në çdo orë të ditës dhe natës, shef Genti siç e thërrasin ne në media, është i kudogjendur për të ndihmuar gazetarët që raportojnë çështjet policore. Mundi dhe përkushtimi i tij shumëvjeçar në Polici është vlerësuar sot nga Drejtori i Përgjithshëm.
Gledis Nano i ka akorduar shef Gentit “Certifikatën për Shërbime të Dalluara”, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrës, në përmirësimin e marrëdhënieve me median dhe rritjen e transparencës, kontributin e veçantë për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, si dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit në komunitet”.
Vetë drejtori për mediat ka reaguar për këtë vlerësim nga kryepolici Gledis Nano, duke mos e fshehur krenarinë për vlerësimin që iu bë sot për mundin e përkushtimin e tij në shërbim të qytetarëve, shkruan newsbomb.al.
“Është nder dhe krenari për mua që sot u certifikova për mundin e përkushtimin tim, me ndershmëri e humanizëm brenda kuadrit ligjor në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushje të detyrës që kryej.
Faleminderit Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, për vlerësimin, por mbi të gjitha për frymën e re që po i jep përditë organizatës së Policisë dhe për shpresën që përcjell te qytetarët, për një Polici më sociale, më humane dhe më korrekte në çdo drejtim.
Të vlerësosh njerëzit e punës dhe t’i motivosh akoma më shumë, është rruga më e drejtë për të arritur atë që komuniteti pret nga Policia e Shtetit: përkushtim, ndershmëri, performancë, humanizëm dhe një shërbim sa më cilësor. Ta gëzojmë festën e familjes sonë të madhe, qoftë përherë e re në moshë, e freskët në detyrë dhe me dyer të hapura për qytetarët”, shkruan drejtori Genti Mullai.