Tirana rrezikon rrogat në sfidat e mbetura me Luftëtarin në kampionat dhe Kupë. Më saktë, nëse Tirana mundet me gjirokastritët të dielën, që do të thoshte katrahurë, si dhe eliminimi nga Kupa do të sillte si ndëshkim mbajtjen e rrogave.
Në fakt, Halili disa javë më parë, kur gjërat po shkonin keq, ua ka bërë të qartë të gjithë futbollistëve që asnjëherë nuk e ka pëlqyer që të ndëshkojë lojtarët e tij me gjoba, por nëse skuadra eliminohet nga Kupa dhe do të humbasë në kampionat, do të ketë edhe ndëshkime ekzemplare.
Presidenti i Tiranës, të njëjtën gjë e ka përsëritur gjatë gjithë këtyre javëve sa herë e ka takuar ekipin. Është e qartë se bardheblutë të dielën nuk luajnë vetëm një takim. Luajnë qëndrimin në Kategorinë Superiore, por mbi të gjitha nga i pari deri tek i fundit luajnë edhe rrogat. Është e qartë se një rezultat jo i mirë në Gjirokastër do të thoshte ndëshkim për ekipin bardheblu, që normalisht duhet të ngrejë kokë dhe të reagojë.
Pas ndeshjes me Luftëtarin në Kupë, presidenti Refik Halili nuk ka qenë i kënaqur nga skuadra e tij. Për “Panorama Sport”, ai deklaroi se skuadra kishte zhvilluar takimin më të dobët këtë sezon. Kritikat ai ua ka bërë të qartë edhe lojtarëve në fund të takimit. Gazetari i “Panorama Sport” në Gjirokastër ka parë nga afër sesi presidenti i bardhebluve ka kritikuar skuadrën e tij që të mërkurën nuk ishte askund.
Halili ka kërkuar nga të gjithë që të reagojnë për të mirën e Tiranës dhe gjithë popullit bardheblu. Edhe të dielën e shkuar presidenti Refik Halili kritikoi ekipin për humbjen që skuadra pësoi në “Selman Stërmasi” ndaj Kukësit, ndeshje që komplikoi jo pak pozitën e bardhebluve.