Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e biznesmenit nga Tepelena, Çajup Selimi. Mësohet se 45-vjeçari është qëlluar me dy plumba, një në kokë dhe një në trup. Selimi është vrarë në shkallët e pallatit, teksa hynte në banesën e tij, ndërsa deri tani për ngjarjen është shoqëruar një person, i cili dyshohet se ka pasur konflikte më parë. Ndërkohë banorët janë shprehur se kanë dëgjuar dy krisma. Policia ka zhvilluar kontrolle gjatë natës dhe ka ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorit.
VIKTIMA
Çajup Selimi rezulton pronar i një biznesi në qytetin e Tepelenës. Në vitin 2018, ai ishte konfliktuar me dy persona, të cilët e goditën me sende të forta. Vetë Selimi tha në atë kohë se ishte sulmuar me grushte dhe me leva hekuri dhe se ishte kërcënuar me thikë, duke shtuar se nuk i dinte arsyet.
Ai tha se ishte sulmuar nga dy persona, por më vonë u arrestua një prej tyre. Në pranga përfundoi Risiano Abedini, po nga Tepelena. Familja e viktimës deklaronte se 45-vjeçari kishte konflikte për shkak të konkurrencës.
Dy familjet kishin biznes me të njëjtin profil dhe kjo kishte shërbyer si shkak për konflikte të vazhdueshme të tyre. Familjarët deklaruan se ai ishte sulmuar edhe 4 herë të tjera. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm.
HETIMET
Ende nuk dihet nëse vrasja e 45-vjeçarit Çajup Selimi lidhet me çështjet e konkurrencës. Policia lokale tha se kishte nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Forcat e Policisë Lokale dhe Forcat Shqiponja të Gjirokastrës nisën krehjen e zonës për të kapur autorin e krimit. Ndërkohë, në hyrje dhe dalje të qytetit të Tepelenës u ngritën disa pika kontrolli në përpjekje për të arrestuar autorin. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë shkoi në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet me qëllim zbardhjen e krimit./panorama