Pamja e pak ditëve më parë e fushës së stadiumit “Gjirokastra”, ku mbizotëronin barrërat e keqinj, tronditën jo pak opinionin sportiv në qytetin e gurtë.
Mes halleve që ka pasur klubi këtë periudhë, u mendua se stadiumi është lënë totalisht pas dore. Tifozë të shumtë denoncuan në rrjetet sociale me foto situatën skandaloze në impiantin me 8400 vende të ulura dhe që iu nënshtrua një rikonstruksioni të pjesshëm tri vite më parë.
Por, tashmë që jemi në prag të fillimit të kampionatit, teksa drejutesit janë në kulmin e përgatitjeve për të rikompozuar skuadrën duke bërë afrime të rëndësishme, ka nisur të mendohet edhe për tapetin dhe tribunat. Prej dy ditësh ka filluar korrja e barit, në mënyrë që fusha të rikthehet me pamjen mbrëslënëse të viteve të fundit, ku duhet thënë se tapeti ka qenë model për mirëmbajtjen që i është bërë.
“Panorama Sport” ka siguruar foto ku edhe pse në tempertatura që shkojnë deri në 41 gradë në Gjirokastër, po punohet në këto momente për të rikthyer stadiumin në gjendjen më të mirë.