Bledar Devolli ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në fushën e Luftëtarit. Pas ndeshjes ai theksoi se e priste të merrte tri pikët, ndoshta jo me këtë rezultat. Gjithsesi, ai ka theksuar se Kastrioti ka nevojë për 2-3 blerje, që të ketë sa më shumë konkurrencë brenda grupit të lojtarëve.
“Kemi punuar mirë dhe kisha shumë besim se do të fitonim, ndoshta nuk e mendoja se do të fitonim 1-5. E kishim parë Luftëtarin në Rrogozhinë dhe e kishim përgatitur ndeshjen si duhet. Përgëzoj çunat dhe kjo fitore na shërben për moral, për të pasur rezultate të tjera në vazhdim.
Ua kam thënë drejtuese që të kemi një ekip konkurrues, na duhen edhe dy-tre lojtarë, që të ketë konkurrencë brenda grupit. Nuk kemi alternativa dhe kampionati është i gjatë, ka kartonë dhe dëmtime, larg qoftë. Na duhet një portier, një mesfushor dhe një sulmues, që do të ishte shumë mirë. Kam lojtarë të mirë dhe në qershor do t’i kërkojnë këta lojtarë.
Por na duhet pak më shumë kualitet, që të marrim rezultatet që duhen. Këtë do ta arrijmë me punë javë pas jave. Na mungonte kapiteni Çela dhe sot u arnuam, ndaj them se na duhen lojtarë. Përsëri jam i kënaqur me entuziazmin që kanë këta çuan të rinj. Vetëm kam frikë se mos fluturojnë dhe kjo është pjesa që na takon ne drejtuesve ta mbajmë nën kontroll”.