Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare Konstandin Ropi, heroi që frymëzoi subjektit të filmit “Partizani i vogël Velo”.
Konstandin Ropi, “Lule Velo i vërtetë” ka lindur në Leshnicë, Vithkuq në vitin 1930. Ai mbeti jetim në moshë të vogël. Të dy prindërit iu vranë gjatë luftës, ndaj vendosi të dilte në mal si partizan në moshën 12-vjeçare.
Po si vazhdoi jeta e tij pas luftës?
Pas Çlirimit ndoqi një shkollë ekonomike për kontabilitet në vitet 1947 – 1948. Më pas studioi në shkollat ushtarake në Bashkimin Sovjetik.
Në Tiranë përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë Ushtarake. Më pas, kur mbaroi Akademinë Ushtarake u caktua me shërbim në Durrës ku jetoi për shumë vite.
Pas daljes në pension u rikthye në vendlindje, në Korçë.
Konstandin Ropi kishte një sërë dekoratash të marra për veprimtarinë e tij në luftë, si: medaljen e trimërisë, medaljen e flamurit, ndërsa në Moskë është dekoruar nga ish-presidenti rus Boris Jelcin me dekoratën e luftëtarit kundër Nazizmit.
Koco Ropi do të përcillet për në banesën e fundit sot, në Korçë, në orën 14.00.