Julian Ahmataj ka debutuar sot si trajner i Tiranës, duke mundur Luftëtarin me rezultatin 0-3. Në një prononcim për “Supersport”, ai falënderoi trajnerin Ardian Mema për skuadrën që ka lënë teksa shton se skuadra ka nevojë për përmirësim.
“Dua të falënderoj Memën sepse më ka lënë një skuadër shumë cilësore. Kemi objektiva madhorë por duhen marrë ndeshjet një nga një. Një trajner përpos rezultateve duhet të lërë një skuadër të shëndoshë për të ardhmen dhe t’i jepen mundësi atyre të akademisë që të rriten dhe të shkojnë në skuadra të huaja dhe të japin një buxhet më të shëndoshë. Kudo ku kam shkuar kam aktivizuar të rinj.
Me dy ditë stërvitje nuk mund të vlerësoj futbollistët. Ato që kam lënë në pankinë janë ato që kanë pasur dy ndeshje nga 90 minuta pasi 3 ndeshje në një javë janë shumë për momentin.
E kam ndjekur skuadrën nga jashtë por është ndryshe kur je jashtë dhe ndryshe këtu. Kemi probleme sepse skuadra është e gjatë dhe janë disa gjëra taktike që duhen përmirësuar. Nuk merrem me rezultate dhe gabime por me përmirësime. Ato që janë në formë do t’i përdor sepse kjo skuadër ka shumë kualitet.
E kisha të vështirë të përgatisja ndeshjen sepse në 2 ditë kemi bërë 4 analiza. Bëmë maksimumin që të përgatisnim këtë ndeshje dhe jam i kënaqur nga futbollistë. Niveli intelektual i skuadrës është i lartë. I kam thënë skuadrës që nuk kemi punë me kundërshtarin por punën tonë. Me një kundërshtar më të lehtë duhet të jemi superiorë”, tha Ahmataj.