Në intervistën që ka dhënë për Roland Qafokun, Monika Kryemadhi është pyetur edhe për marrëdhëniet me Ilir Metën, të cilin gazetari e cilësoi si “dorë e fortë”.
“Unë nuk kam dëgjuar ndonjë ministër që të thotë ishte dorë e fortë Ilir Meta, dhe nuk është dorë e fortë Monika Kryemadhi”, tha Kryemadhi në përgjigjien e saj.
Tani që Ilir Meta ishte dorë e fortë, ta them unë…
-Unë nuk bëj mundje me Ilir Metën, bëj dashuri.
LSI është e Kryemadhit apo Metës?
Unë bëj garë politike dhe gara politike nuk ka të bëjë as me Ilir Metën dhe as me Monikën. Kjo është gara politike e LSI-së dhe Monikës, nëse ne arrijmë qëllimin tonë objektiv për të kthyer ata 600 mijë të rinj dhe të reja që kanë ikur në tre vjet, kemi fituar.
Ajo që është akoma më e rëndësishme dhe ne ja ku e kemi sonte këtu, për t’a kthyer Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve.
Sepse unë mendoj që shtëpia është vendi më i rëndësishëm që shqiptarët kanë, është vendi më i shenjtë që shqiptarët kanë. Shtëpia dhe familja janë kisha dhe xhamia e çdo shqiptari.
-Zonja Kryemadhi si ju përgjigjeni atyre që thonë se Monika Kryemadhi nuk e drejton LSI-në si Ilir Meta?
-Unë po pres këto liderat e mëdhenj të Ballkanit që të vijnë dhe të angazhohen për të kthyer këta 600 mijë të rinjtë dhe shqiptarët. E para një herë kjo që thoni ju nuk është e vërtetë, e dyta kjo është një nga problematikat që ka sot Rilindja dhe një nga problemet që ka Rilindja sot nuk është më koha e Ilir Metës dhe duan të krijojnë një lloj distancimi. Në fakt persona të cilët e thonë këtë gjë janë persona të cilët kanë përfituar nga pushteti i LSI-së dhe kanë qenë ata që e kanë bërë pis LSI-në në ato vite, kështu që normal sot e ndiejnë veten më të sigurtë pranë Rilindjes.
-Si e kanë bërë pis LSI-në?
– Unë nuk jam as prokurore dhe as gjyqtare që të bëj këtë gjë, unë jam kryetare e LSI-së, por ajo që dua të them është se si kryetare e LSI-së në këto tre vjet kam lëvizur në gjithë Shqipërinë dhe kam kontaktuar jo vetëm me anëtarët, por edhe qytetarë dhe ajo që dua të them është akoma më e rëndësishme; sot LSI është vërtet parti e të rinjve, e grave dhe vajzave, e burrave dhe djemve, të cilët kanë ëndrra dhe aspirata për të jetuar në Shqipëri, për të ndërtuar familjet e tyre në Shqipëri, dhe për ta shijuar jetën në Shqipëri.
Unë nuk mendoj se LSI-ja ka nevojë për njerëz të cilët kërkojnë të përdorin vullnetin dhe votën e anëtarëve dhe simpatizantëve dhe votuesve të LSI-së për të krijuar një parajsë të vogël të tyre qoftë nga jashtë Shqipërisë. Mendoj që koha e këtyre lloj njerëzve ka mbaruar, kanë përfituar nga modestia, nga dashuria. Unë nuk kam dëgjuar ndonjë njeri që ta thotë këtë . Të tjerët thonë se strukturat e LSI-së tashmë po lulëzojnë.
-Qenkeni rrethuar vetëm me njerëz që ju duan.
-Jo, nuk jam rrethuar vetëm nga njerëzit që më duan mua. Unë jam rrethuar nga njerëz që nuk kanë pasur asnjëherë pushtet nga LSI-ja. Jam rrethuar nga njerëz që në LSI kanë ardhur në moshën 18 vjeç dhe nuk e kanë gëzuar në asnjë moment pushtetin e LSI-së. As nuk janë punësuar dhe as nuk kanë qenë pjesë e pushtetit dhe vendimmarrjes, por përkundrazi kanë qenë militantë të LSI-së.
-Tre vjet në krye të LSI-së, mund të bëni një bilanc të shkurtër?
-Për ta mbledhur do bëhëj një listë e gjatë e shumë gjërave, por bilanci do bëhet ditën e zgjedhjeve dhe rezultati i punës së LSI-së do jetë rezultati i votave të qytetarëve për LSI-në dhe për opozitëb e bashkuar. Ajo çka LSI-ja vendosi në 4 korrik për të mandatuar Monika Kryemadhin si kryetare dhe fjala ime në atë Konventë e cila distanconte përfundimisht LSI-në nga partia Socialiste,por nuk mund të them nga PS por nga Rilindja e Edi Ramës, ishte një veprim i cili në një farë mënyre krijonte një lloj dyshimi në një pjesë të caktuar jo vetëm të elektoratit por edhe të partisë për shkak se vijnë pas një katër vjeçari ku të jemi të sinqertë, LSI është një parti e majtë e cila në thelb edhe të programit ka social demokracinë dhe fokusin te të rinjtë dhe te pjesa më vitale e një populli e cila për hir të së vërtetës në çdo vend të botës, të rinjtë janë të majtë. E gjithë veprimtaria e LSI-së ka qenë një veprimtari radikale mund ta quajmë. Radikale ka qenë pjesa e djegies së mandateve.
-Çizmja përshembull…
-Çizmja ka qenë personale, por po themi politike. Është edhe një veprim politik për të treguar që kur makutëria me të cilën kërkon t’u rrëmbesh njerëzve jetën e përditshme, normalitetin dhe lirinë, çizmja është gjëja më e vogël që mund t’i ndodhë dikujt. Ndaj them që rezultati i gjithë kësaj pune do duket ditën e votimeve, atë kur shqiptarët do t’a tregojnë me votën e tyre ndaj LSI-së. Unë mendoj që përsa i përket aktivitetit të saj, LSI ka një aktivitet goxha intensiv, ka një dalje publike të shpeshtë mediatike ka një kontakt të shpeshtë dhe të përditshëm.
-A e quani pozitiv bilancin e këtyre tre viteve?
-Nuk mund të flas për bilancin pozitiv të Monikës por për mua bilanci duhet llogaritur si është impakti te shqiptarët dhe për hir të së vërtetës ky bilanc te shqiptarët është mjaft i keq për shkak të largimit të qindra mijërave shqiptarëve nga Shqipëria.