Krahas vaksinave që erdhën mbrëmë dhe lajmit se BE mund të lehtësojë lëvizjen e shqiptarëve në territorin e saj, flitet se vizita në Tiranë e komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi mund të ketë sjellë edhe një rezultat tjetër, i cili lidhet me një takim të mundshëm fizik mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Çfarë ndodhi?
Siç raportoi gazetarja e ABC, Esiona Konomi nga Rinasi, kreu i opozitës Lulzim Basha erdhi më herët se sa ishte planifikuar me eskortën e tij në zonën ku do të zhvillohej takimi i tij me Varhelyi-n.
Ndërkohë që Basha hyri, Rama dhe Varhelyi ndodheshin ende në takim duke bërë që kreu i opozitës të priste në brendësi të ambienteve VIP të aeroportit. Basha priti gjithashtu ndërkohë që Rama dhe Varhelyi mbaruan konferencën për shtyp. Fill pas saj, nisi takimi Basha-Varhelyi, por në vend që të largohej, ka qenë kryeministri Rama që ndejti brenda ambienteve VIP të aeroportit.
Më pas, gazetarët panë që eskorta e Ramës dhe e Bashës të largoheshin njëkohësisht nga Rinasi, gjë që tregon se kryeministri ka pritur që të mbaronte edhe takimi i kryeopozitarit me Varhelyi-n.
Gjatë gjithë këtyre momenteve, nuk përjashtohet mundësia që mes dy liderëve të ketë patur një takim kokë më kokë apo edhe në prani të Varhelyi-t pasi ambientet ku kanë pritur ata janë tepër të vogla, ç’ka e bën të pamundur mos pasjen e një kontakti.
Partia Demokratike përgënjështroi lajmin që qarkullon në media se Edi Rama dhe Lulzim Basha janë takuar në Rinas pas takimeve me komisionerin e BE për zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në një reagim të shpërndarë për mediat, PD deklaron se nuk ka pasur asnjë takim dhe se kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e vendit.
“Nuk ka pasur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre”, deklaron PD.