Ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro përmes një statusi në rrjete sociale, uron të gjithë nxënësit që nisën vitin shkollor sot. Inkujaron, mësuesit, drejtuesit dhe prindërit në misionin e ri, që përveç punës për rezultate e dije, kanë edhe sfidën e pandemisë dhe ndaj e konsideron këtë 14 shtator si klasën e parë për të gjithë. Meqë jemi duke u përballur me një të panjohur të re, Covid-19.
Statusi i plotë i Kumbaros:
Anja dhe Esmeralda janë dy shoqe të miat të vogla, në shkollën « Nonda Bulka » në #Përmet që bashkë me drejtoreshë Anidën, i shoqërova kur hynë në klasë të parë 2 vjet më parë, dhe e kishin shumë të madh gazin kur morën abetaret, luanin e përqafoheshin nga qejfi i librave të rinj.
Sot ato janë në klasë të tretë.
Janë rritur dhe janë nxënëse shumë të mira. Por janë edhe më të pjekura. Sot ato fillojnë vitin shkollor me maskë dhe me rregullat që ka vendosur drejtoria e shkollës. Abetarja nuk është më interesi i tyre, por librat po, që për mua është dhurata më e mirë që mund t’u bëj.
Ato prapë do të luajnë e zbaviten, por tashmë do e bëjnë nën kujdesin e mesuesve të tyre duke iu bindur me mençuri rregullave.
Në të shtatë bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës, afro 10 000 mijë nxënës të të gjitha moshave në sistemin parauniversitar, nisin sot vitin më të çudtishëm shkollor 2020-2021.
Nuk e zgjedhim ne kohën kur shkojmë në shkollë për herë të parë, por zgjedhim ne mënyrën se si do të përballojmë këtë kohë kovidiane, jo vetëm me organizimin e të rriturve por edhe me përgatitjen psikologjike të fëmijëve.
Në këtë kuptim ne të gjithë jemi sot në klasë të parë ! Si prindër, si mësues, si drejtues.
Drejtuesit i kanë marrë të gjitha masat e rregullat që situata të jetë në kontroll. Mësuesit kanë një muaj që punojnë pa të shtuna e pa të diela, për të bërë gati çdo detaj në klasën e shkollën e tyre.
Prindërit kanë durimin e paduruar për të parë e kuptuar se si do të zhvillohet dita me ditë ky vit ndryshe.
Por të gjithë kemi nevojë të komunikojmë, të shpjegojmë se si mund t’i rrimë afër njeri tjetrit duke ndenjur larg, se mund të respektojmë rregullat e forta të veprimit duke çliruar fjalën.
Prandaj të mos i kursejmë FJALËT për t’u treguar çdo ditë fëmijëve tanë pse është e rëndësishme që këtë vit do të jemi të mirë duke u sjellë ndryshe, do të jemi të dashur duke mos u afruar, do të jemi të kujdesshëm duke mos e tejkaluar rregullin, në emër të dashurisë për prindërit, gjyshërit, mësuesit, në emër të JETËS.
Me zemër u uroj Anjës dhe Esmeraldës, dhe të gjithë nxënësve të Përmetit, Gjirokastrës, Libohovës, Dropullit, Memaliajt, Tepelenës dhe Këlcyrës, e bashkë me ta, të gjithë nxënësve të Shqipërisë sonë, një vit të suksesshëm, shëndet e buzëqeshje atyre e familjeve të tyre, dhe kurajo e punë të mbarë mësuesve, sidomos mësueseve , të cilat e kanë edhe më të vështirë punën si nëna dhe si mësuese, edhe më të madh merakun edhe më të madhe vëmendjen, edhe më të madhe zemrën, sepse të tilla janë gratë shqiptare.
Kujdes e Suksese