Nga Mirela Kumbaro
Sot ka ditelindjen Petrit Ruka, vdekjen nuk ia kujtoj, nuk dua t’ia kujtoj! Sot lindi nje poet shume i veçante, qe fliste heshtur por qe i kendon poezia shume mençurisht e me nje buzeqeshje te holle nen hunde, siç ua shoh djemve te lindur ne Tepelene, qe idete i shprehin ne vargje ose ne kenge, ose me pene. Asnjehere s’e falenderova sa duhet per gezimin qe me jep poezia e tij prej te ciles kam zgjedhur sot “Poetet”:
⏪ Poetët-njerëz të ligj, shtetet gjithmonë i shajnë,
Sillen me ta si me gratë, zihen dhe i ndajnë,
Pastaj prapë u bëjnë këngë, për ta zënë dhe qajnë,
U bëjnë ndere prej skllavi, mbi supe i mbajnë.
Poetët janë njerëz të marrë, mos u besoni shumë,
U bëjnë magji njerëzve, grinden se s’kanë gjumë
Grinden me veten si me një hasëm të vjetër,
Rrojnë si mos më keq; me dëshpërim dhe letër.
Përbuzin qeveritë, përbuzin paratë,
Ngrenë tempuj për vdekjen, ngrenë tempuj për gratë.
Bëhen shok me djallin, shok me një pjergull,
Pinë raki me fantazmat, bëjnë flamuj me mjegull,
Poetët janë të çmendur e kanë kokën të çarë,
Nëpër muret e burgjeve të ndërtuara me fjalë.
Janë njerëz të dehur, pështyjnë zotin vetë,
Sikur zoti qënka një copë redaktor i shkretë.
Poetët si poetët…t’i kuptosh?!…E kotë…
Po se mos vetë e dinë se ç’janë në këtë botë….⏩