Luftëtari është rikthyer dje në fushë në prag të ndeshjes ndaj Skënderbeut. Duket se situata e rënduar financiare po shkon drejt zgjidhjes nga ana e klubit, pasi stafi teknik dhe futbollistët kanë marrë garanci për vazhdimësinë.
Këtë e ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” vetë trajneri vlonjat i Luftëtarit, Gentjan Mezani.
Ky i fundit, menjëherë pas seancës së zhvilluar në fushën e stadiumit “Gjirokastra”, theksoi se pas takimit me drejtuesit e klubit është marrë premtimi se gjithçka do të zgjidhet sa i përket anës financiare, në mënyrë që skuadra të mendojë vetë për dy ndeshjet e mbetura për këtë vit, fillimisht ndaj Skënderbeut në Korçë dhe javën tjetër kundër Partizanit në Gjirokastër.
“Kemi filluar përgatitjet normalisht dhe nga ky moment do të përqendrohemi maksimalisht për ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut.
Ajo që mund të konfirmoj është se nga drejtuesit e klubit kemi marrë garanci për zgjidhjen e çështjeve financiare.
Unë kam pasur besimin se drejtuesit do të bënin punën e tyre, kështu që tashmë nuk na mbetet gjë tjetër, por të jemi të përqendruar për ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut. Kemi lënë shumë pikë gjatë rrugës, edhe pse në disa ndeshje kemi merituar më tepër.
Dihet si kanë rrjedhur ngjarjet, por tani s’kemi më kohë për të humbur. Nga unë i pari si trajner dhe të gjithë lojtarët duhet të përkushtohemi maksimalisht që në ndeshjen ndaj Skënderbeut të rikthehemi te pikët.
E dimë vështirësinë e këtij takimi, por siç e kam thënë që kur kam marrë drejtimin e Luftëtarit, ekipi im ka lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën ndaj çdo kundërshtari. Pas tri humbjeve radhazi është koha që të marrim një rezultat pozitiv në Korçë”, deklaroi dje Mezani.
SITUATA – Kjo javë është vendimtare për disa arsye në kampin gjirokastrit. Së pari, mendohet që deri në prag të ndeshjes me Skënderbeun klubi të nisë shlyerjen e pagave të prapambetura deri në zerimin e tyre brenda këtij viti.
Gjithashtu, do të shikohen me imtësi nga avokatët e klubit të gjitha çështjet kontraktuale me disa nga lojtarët “rebelë”, të cilët këtë periudhë kanë kërkuar prishje të kontratës, për shkak të tejkalimit të afatit për pagesën.
Drejtuesit do të negociojnë me secilin futbollist për të gjetur gjuhën e përbashkët. Klubi me shumë mundësi do të lërë të lirë ata lojtarë, të cilët nuk i ka në plane për të ardhmen.
Nga ana tjetër, për emra të rëndësishëm si Rroca dhe Shkurtaj, për të cilët ofertat janë të shumta, zor se mund të lëshojë, pasi pret të arkëtojë shuma të rëndësishme në rast shitjeje.