Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili në një komunikim me gazetarët, u shpreh se Kreu i Shtetit mund të vendosë edhe Vojo Kushin në maskë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta shkruan se Rama me anë të këtyre fjalëve, ka fyer sërish simbolin e Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun. Teksa ka postuar dhe një foto (anë të së cilës përsërit thirrjen për përballje publike), por që Rama, në ilustrim, shihet që fshihet pas karriges, Presidenti shton se lulja e kuqe e Rilindjes, që përmendi kryeministri, ështëzëvendësuar me gjethen e kanabisit.
“Esati i Rilindjes, zëdhënësi i armiqve të Kombit Shqiptar, guxoi sërish sot të marrë nëpër gojë Vojo Kushin, duke ofenduar për të disatën herë Dëshmorët e Atdheut, familjarët e tyre, veteranët dhe të gjithë shqiptarët që nderojnë dhe krenohen me vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Esati i Rilindjes, pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën provoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun! Esati i Rilindjes, armiku më i egër i socialistëve idealistë, guxoi sot të fyejë edhe simbolin e tyre dhe të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq si gjaku, që prej kohësh e ka zëvendësuar me gjethen e kanabisit dhe barin e egër të Rilindjes, që rritet në llumin e oligarkisë dhe bandave. Esati i Rilindjes duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht për të dhe Sektin pa nder, pa vlera e pa Atdhe që përfaqëson, ka filluar dhe NUK DO NDALET! TRE MILIONË ILIRË NË 25 PRILL I KA GATI! Dhe nuk më thua, o trendi buburrec, kur do dalësh në përballje me mua? Mezi po të pres!”– shkruan Meta krah fotos.
Më herët, në një komunikim me gazetarët, Rama, i pyetur për maskat tha se ky është një udhëzim i dhënë nga specialist por që mund të sajoheshin me çdo lloj tekstili. Teksa për vete tha se ka vendosur lulen e Rilindjes, Presidentit i sugjeroi që të vendosë edhe Vojo Kushin.