Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur me tone të ashpra në konferencën për shtyp ku komentoi disa nga zhvillimet e fundit në vend.
I pyetur nga gazetarët nëse kreu i shtetit po bën më tepër rolin e opozitarit duke iu kundërvënë qeverisë, Meta tha se detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën. Me tone të ngritura, Meta foli për duar të zeza të armiqve të Shqipërisë të cilët sipas tij po investohen për të destabilizuar vendin. Kreu i shtetit kishte një mesazh dhe për kryeministrin Edi Rama kur e sfidoi që të dalë dhe t’i tregojë popullit se është i marrë peng.
“Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territor i askujt, por detyrë e parë e Presidentit të Republikës. Presidenti nuk është vetëm Komandant i Forcave të Armatosura, por është ushtari i parë i Republikës. Këtë duhet ta dijë kushdo. Ka ardhur koha për të verifikuar ndershmërinë, patriotizmin e çdo politikani, por edhe të çdo qytetari.
Duhet ta dijnë mirë edhe armiqtë e Shqipërisë se do ta marrin përgjigjen atje nuk iu shkon mendja, boll i futën duart e zeza këtu për të na bërë një vend gazi i botës. Ndërsa atij zotëri i them përpiqu të bësh aq sa bëri Izetbegoviçi kur e morën peng, thuaji popullit tënd jam peng dhe vazhdo punën tënde. Se këtë popull dhe këtë komb nuk e merr askush peng më nën këtë qiell dhe mbi këtë tokë”, u shpreh Meta.