Emërimi i Irena Karagjozit në një prej agjencive të rëndësishme të Bashkisë Gjirokastër mund të ketë mërzitur sot shumë socialistë. Mes tyre ka patjetër nga ata që kanë thënë: Po kjo nga doli?! E lidhin natyrisht me faktin se ajo ka qenë larg strukturave dhe jetës partiake të PS-së në qytetin e gurtë. Për inerci nga e shkuara është legjitime mërzitja e socialistëve sikundër nuk është herezi as lëvizja e Flamur Golemit për të sjell në bashki dikë nga jashtë gardhit të PS-së.
Emërimi i Irena Karagjozit dhe kujtdo personi tjetër të ngjashëm me të është një lajm i mirë. Bashkia kurrsesi nuk mund të jetë institucioni ku emërohen vetëm socialistët dhe vetëm ata që kanë bërë fushatë apo kanë qenë pjesë e strukturave. Pas tre emërimeve të para nga radhët e njerëzve të partisë, Irena Karagjozi në krye të Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social duhet parë si një shpresë dhe thirrje për shumë të tjerë që duan të kontribuojnë në administratën e këtij institucioni, por nuk kanë CV partiake.
Ylli Muho, Gentian Llogo dhe Seit Rondo janë socialistë që kanë lëvizur nga njëri institucion tek tjetri kryesisht për shkak të angazhimit të tyre politik. Irena Karagjozi vjen nga sektori privat dhe le të themi nga shoqëria civile, aq sa mund të flitet për shoqëri civile në Shqipëri. Prej 10 vitesh punon si konsultente programesh e projektesh të ndryshime zhvillimi me organizata vendase e të huaja.
Bashkia Gjirokastër ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz me profil të tillë. Të qënit socialist apo pjesë e strukturave të partisë nuk duhet të jetë kriteri themelor për të filluar punë në bashki. Njerëz të zotë profesionalisht ka doemos edhe përtej radhëve të socialistëve. Nëse Flamur Golemi kërkon të çojë në një nivel tjetër qeverisjen e Gjirokastrës dhe të bëjë punë të mira, patjetër që duhet të afrojë sa më shumë njerëz të tillë.
Sigurisht që ka vend edhe për të harmonizuar kërkesat e militantëve dhe presionin e strukturave të partisë. Me Irena Karagjozin u dha një sinjal i mirë se gjërat mund të lëvizin në drejtimin e duhur. Por kjo s’do të thotë se jemi duke mbivlerësuar zonjën në fjalë. Vetëm prej faktit se ajo vjen jashtë radhëve të PS-së nuk e bën automatikisht më të mirën e mundshme dhe as është apriori e suksesshme në punë.
Sikundër nuk është i përjashtuar nga suksesi as një person tjetër që vjen nga strukturat e partisë apo grupet e militantëve. Koha do të tregojë si për Irena Karagjozin ashtu edhe për emërimet e tjera të Flamur Golemit. E rëndësishme është që Bashkia Gjirokastër të jetë një institucion i hapur, ku mund të punësohet dhe të bëjë karrier kushdo që e dëshiron këtë gjë dhe ka kapacitetin profesional, pa qenë nevoja të jetë detyrimisht me teserën e PS-së.
©argjiroja.net