Koronavirusi ka përfshirë mbi 100 territore të tjera nëpër botë jashtë Kinës, duke përhapur panik për të gjithë banorët, sepse ende nuk ka një njoftim nga ekspertët për krijimin e vaksinës që lufton këtë virus vdekjeprurës. Ndërkohë nga shumë ekspertë të shëndetësisë është deklaruar se ilaçi kundër Ebolës është një ndër medikamentet më efektive për trajtimin e koronavirusit.
Gjithashtu së fundmi ky lajm është konfirmuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke marrë shkas nga përmirësimi që pacientët e prekur ndjenë pas përdorimit të “Remdesivir”.
Ky ilaç “Remdesivir”, i prodhuar nga kompania amerikane “Gilead Science” ka dhënë më shumë efekt sesa kundër HIV-it. Në këtë mënyrë Remdesivir është ilaçi më efektiv. Ky është një ilaç eksperimental i zhvilluar për të luftuar virusin Ebola.
“Tani ekziston vetëm një ilaç që ne mendojmë se mund të ketë efikasitet kundër koronavirusit dhe ne mendojmë se është Remdesiviri.”- deklaroi në Pekin ndihmësi i drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së Bruce Aylward.
Ndërkohë kompania prodhuese “Gilead” ka nisur bashkëpunimin me autoritetet shëndetësore kineze prej muajit janar, duke testuar pacientët me koronavirus. Edhe Instituti Amerikan i Shëndetit në SHBA (NIH) ka bërë me dije se Remdesivir mund të parandalonte koronavirusin edhe tek majmunët.
Ky ilaç lehtëson sistemin e frymëmarrjes dhe funksionimin e mushkërive. Të paktën tek kafshët e infektuara, Remdesivir përmirësoi ndjeshëm gjendjen shëndetësore të tyre.
Koronavirusi nga dita në ditë po prek çdo shtet në botë ku deri më tani janë regjistruar 3821 viktima dhe 108,000 të infektuar nga koronavirusi në rang global. Mes viktimave dhe të infektuarve në botë shumica më e madhe janë të regjistruara në Kinë. Italia tashmë është renditur si vendi i dytë më i prekur nga koronavirusi në botë pas Kinës me 366 viktima. Viktima janë shënuar në Iran, Korenë e Jugut, Britani, Francë, dhe Gjermani. Koronavirusi ka prekur ditën e sotme edhe Shqipërinë ku u shënuan dy rastet e para të pacientëve me koronavirus, të cilët vinin nga Italia./ Burimi: livescience