Pak muaj para arrestimit me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave, shefi i Kardiologjisë në QSUT, Edvin Prifti, kishte denoncuar në polici dhe prokurori kërcënime të bëra ndaj tij për shkak të detyrës. Ora News ka mësuar se mjeku tashmë i arrestuar, akuzonte për kanosje Leonard Selmanajn. Ky person po hetohej nga prokuroria e Tiranës pasi përmes mesazheve e telefonatave i kërkonte Edvin Priftit kthimin e një shume monetare që pretendonte se i kishte dhënë për operimin në zemër të një të afërmi.
Ish-shefi i Kardiologjisë në QSUT, Edvin Prifti, i cili u arrestua në sallën e gjyqit pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, për akuzën e korrupsionit ka qenë në konflikt me të afërmit e një pacienteje që kishte operuar pak kohë më parë.
Leonard Selmanaj, është njeriu që dyshohet se ka kallëzuar në SPAK, doktorin Edvin Prifti, ndërkohë që Ora News ka mësuar se edhe mjeku ka depozituar kallëzim penal ndaj qytetarit Leonard Selmanaj nga qyteti i Lushnjes.
Kallëzimi është marrë nga oficerët Kundër Jetës dhe Personit, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas materiali hetimor, i është përcjellë për hetime prokurorisë së kryeqytetit.
Prej muajit dhjetor 2020, çështja e denoncuar nga mjeku Edvin Prifti, është regjistruar në prokurorinë e Tiranës për akuzën e “Kanosjes”.
Për këtë hetim është ngarkuar një prokuror dhe një oficer policie, të cilët kanë administruar të gjitha bisedat e zhvilluara në “WhatsApp” mes kardiologut Edvin Prifti dhe qytetarit nga Lushnja, Leonard Selmanaj.
Në këto biseda, qytetari Leonard Selmanaj e kërcënon me jetë doktorin Prifti me qëllim që ky i fundit ti kthente një shumë monetare që sipas tij i kishte dhënë doktorit për kryerjen e operacionit të nënës.
Në këto biseda qytetari e falenderon përzemërsisht doktor Priftin, për ndërhyrjen kirurgjikale që kishte zhvilluar për nënën e tij.
Por konflikti mes qytetarit dhe mjekut ka nisur në momentin kur personi që ishte operuar disa muaj më parë, ka ndërruar jetë pasi dyshohej se ishte infektuar me Covid-19.
Pas vdekjes së familjares, Leonard Selmanaj ka filluar debatin në telefon me mjekun, duke kërkuar mbrapsht shumën që ai pretendonte se ja kishte dhënë mjekut për operacion.
Si pasojë e këtyre shqetësimeve, burime pranë prokurorisë së Tiranës, thonë se kardiologu, Edvin Prifti, ka zhvilluar dhe një takim me kryepolicin Ardi Veliu, të cilit ia ka treguar të gjithë zanafillën e problemit me qytetarin.
Deri në këtë periudhë, kallëzimi i doktor Priftit vijon të jetë i hapur në prokurorinë e Tiranës, pasi është regjistruar një procedim penal për akuzën e “Kanosjes”.