Policia e Sarandës ka arrestuar një 45-vjeçar në lidhje me mbytjen e 29-vjeçares angleze ditën e djshme, teksa po kryente një ekspeditë zhytjeje në det. 45-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, të cilat sipas hetimeve paraprake sollën dhe humbjen e jetës për turisten e huaj.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 45 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Vapori i mbytur”, gjatë ekspeditës së zhytjes, me përgjegjës këtë shtetas, është mbytur shtetasja angleze R. G., 29 vjeçe. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes, në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.