Një 25-vjeçar nga Gjirokastra është arrestuar nga policia kufitare pasi u kap duke transportuar me makinë një sasi prej 20 kg kanabis sativa. Mësohet se i arrestuari është shtetasi Flavio Goxho dhe akuzohet për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”. Droga ishte e ndarë në 17 pako dhe ishte fshehur në sediljet e pasme të mjetit tip “Volvo”.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet në rrugë operative dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë automjetin tip “volvo” që drejtohej shtetasi F. G., 25 vjeç, banues në Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në serdilet e pasme të mjetit, në një vend të përshtatur janë gjetur 17 pako të mbështjella, brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale 20 kg”, thotë policia. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti dhe 1 aparat celular.