30 ekspertë të huaj dhe vendas, shkencëtarë, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nisin punën për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar
Projekti hyn zyrtarisht në fazën e punës teknike me mobilizimin e një ekipi të plotë, me ekspertë të fushave të ndryshme, me eksperienca të ngjashme në shumë vende të botës dhe me njohuri të gjera për territorin, si nga akademia ashtu edhe nga shoqëria civile, të cilët janë angazhuar për përgatitjen e dokumentacionit të thelluar për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, përmes përcaktimit të kufijve të parkut me faza, përfshirë përcaktimin e regjimeve mbrojtëse dhe konservuese të ekosistemit të integruar të Vjosës, dhe mundësive të reja për zhvillim ekonomik e turistik të qendrueshëm dhe mbështetje për komunitetet lokale.
Në Tiranë, në ambientet e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit u zhvillua prezantimi i ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas, të mobilizuar për përgatitjen e dosjes teknike për shpalljen e lumit Vjosa dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, Park Kombëtar.
Takimi u zhvillua në praninë e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro, me pjesëmarrjen e Drejtorit Ekzekutiv (CEO) të shoqërisë Patagonia Z. Ryan Gellert, si dhe ekipit të mbi 30 ekspertëve, nga Shqipëria dhe disa vende të botës – me ekspertizë në fusha të ndryshme si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni mjedisor, vlerësimi i ndikimit social dhe në mjedis, konsultimi me grupet e interesit, si dhe komunikimi publik.
Në nisje të takimit, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro shprehu përkushtimin dhe mbështetjen e plotë në çdo hap të procesit ndërsa tha:
“Ky është moment pozitiv që na bën të ndihemi krenarë! Kemi mbledhur ekspertët më të mirë në nivel global dhe lokal, me aftësi dhe përvojë të thelluar, të cilët jemi të bindur do të arrijnë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira afatgjata, jo vetëm për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, por edhe për të garantuar një zhvillim të qendrueshëm përgjatë gjithë zonës. E ftoj dhe inkurajoj ekipin e punës të përdorë ekspertizën dhe aftësitë profesionale dhe, përmes këtij projekti, të gjithë së bashku të nxjerrim vlerat më mira për natyrën, për komunitetet dhe ekonominë.”