Agron Manaj nga Memaliaj është elektriçisti i pestë qe humbi jetën në qarkun Gjirokastër gjatë vitit 2021. 54-vjeçari ndërroi jetë në spitalin e Gjirokastrës ku u dërgua për ndihmë mjekësore pasi ra në kontakt me rrymën. Bashkë me kolegun e tij, ai ishte duke rregulluar linjën e fshatit Çërrillë në Bashkinë e Memaliajt. Pas kontaktit me rrymën ata mbetën të plagosur. Fatmirësisht A.H është jashtë rrezikut për jetën. Brenda një viti të humbasësh 5 elektriçistë, natyrisht që është ulëritëse, mbi të gjitha sepse janë njerëz e pastaj profesionistë. Mallkim, fat i keq që i përndjek apo gabime njerëzore që duhen korrigjuar? Mbase janë të gjitha bashkë ose asnjë prej tyre. Por kjo që po ndodh është e paprecendentë dhe shumë e trishtë në të njëjtën kohë. Në qershor të këtij viti ndërroi jetë Gëzim Çabej në Gjirokastër. Më parë fatkeqët ishin Selfo Kallfa, Ismet Isaraj dhe Karafil Pupe. Mbase këto ngjarje të përsëritura për fatin e keq, duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për OSHEE-në dhe drejtuesit e saj, që të ridimensionojë plotësisht rregullat e sigurimit teknik në punë. Çdo neglizhencë në këtë zanat të kushton shtrenjtë, të kushton jetën. ©argjiroja.net